Lajme

Prokuroria Speciale e Kosovës ngre aktakuzë për Krime lufte kundër popullsisë civile, gjykimi propozohet të mbahet në mungesë të të akuzuarit


Ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë, kundër një personi me inicialet Ç.A. nën dyshimin se ka kryer krime lufte në Kosovë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, “Ç.A në periudhën kohore janar – maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal (tani për tani të pa identifikuar), të organizuar, të  veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Speciale.

Vepër kjo, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje ‘’RSFJ’’) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

“Aktualisht i ndëshkueshëm sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, dhe nenin 4 të Protokolit 2 të datës 08.06.1977, aktualisht e ndëshkueshme me neni 146 dhe 147 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’)”.

Aktakuza e prokurorisë, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special. Prokuroria ka propozuar që gjykimi të mbahet “mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin”, njofton zyrtarisht prokuroria.

Në mungesë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën e parë ndaj personit me iniciale D.R nën dyshimet se ka dhunuar seksualisht një grua gjatë luftës së fundit në Kosovë, më dy maj.

Kjo është aktakuza e parë e këtij lloji në mungesë pasi “janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin”.

I akuzuari, siç njoftoi Prokuroria Speciale, kishte qenë pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë, i cili, “në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare”, ka kryer dhunim seksual dhe veprime të tjera çnjerëzore.

Ai sipas aktakuzës ka kryer dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, e cila pësoi “lëndime fizike në trup si dhe trauma të rënda të përhershme psikike”.

Ndryshe, në Kosovë, për herë të parë këtë vit, më 14 prill, shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet saktësisht.

Në raportin e Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë, ndërsa sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka të dhëna për rreth 900 viktima.

Mbi 400 masakra dhe 13 mijë e 500 persona janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë. Mbi 1,500 persona konsiderohen të zhdukur ndërsa rreth 20 mijë persona të dhunuar. Megjithatë, përkundër të gjitha këtyre shifrave, shteti nuk ka arritur që këto t’i dokumentojë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore