Lajme

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzën e parë në mungesë ndaj të dyshuarit për dhunim gjatë luftës në Kosovë


Prokuroria Speciale e Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën e parë ndaj personit me iniciale D.R nën dyshimet se ka dhunuar seksualisht një grua gjatë luftës së fundit në Kosovë.  Kjo është aktakuza e parë e këtij lloji në mungesë pasi “janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin”.

I akuzuari, siç njoftoi Prokuroria Speciale, kishte qenë pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë, i cili, “në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare”, ka kryer dhunim seksual dhe veprime të tjera çnjerëzore.

Ai sipas aktakuzës ka kryer dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, e cila pësoi “lëndime fizike në trup si dhe trauma të rënda të përhershme psikike”.

Ndryshe, në Kosovë, për herë të parë këtë vit, më 14 prill, shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet saktësisht.

Në raportin e Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë, ndërsa sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka të dhëna për rreth 900 viktima.

Mbi 400 masakra dhe 13 mijë e 500 persona janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë. Mbi 1,500 persona konsiderohen të zhdukur ndërsa rreth 20 mijë persona të dhunuar. Megjithatë, përkundër të gjitha këtyre shifrave, shteti nuk ka arritur që këto t’i dokumentojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore