Lajme

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj një personi për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Z.V për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Prokuroria Speciale.

“Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër të pandehurit me iniciale Z.V. është ngritur për shkak të veprës penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë ( i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Nga Prokuroria është thënë se kjo është aktakuza e gjashtë e Prokurorisë Speciale për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, prej të cilëve dy janë në praninë e të pandehurit dhe katër për gjykim në mungesë.

Për herë të parë në Kosovë, 14 prilli i është kushtuar të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit.

Në tetor të vitit të kaluar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën ndërkombëtare “dokumentimi i dhunës seksuale në konflikt” pati thënë se mbi 60 raste janë duke u hetuar për dhunime seksuale gjatë luftës në Kosovë, nga mbi 900 raste të cilat janë identifikuar.

Kurse gjyqësori deri tani ka arritur të dënoj vetëm një person.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore