Lajme

Për herë të parë në Kosovë shënohet “14 prilli” dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës


Ilustrim

Për herë të parë në Kosovë, 14 prilli i këtij viti do t’i kushtohet një të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit.

Kjo ditë për më tepër, do të shënohet në shenjë solidarizimi me rreth 20 mijë persona, gra e burra, të cilët vlerësohen se kanë qenë viktima të dhunës seksuale para 24 vjetësh.

Me propozim të presidentes Osmani, Qeveria e Kosovës para dy dite e caktoi datën e sotme si ditë që do t’i dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

“Presidentja Osmani ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës më 12 prill.

Propozimin e ka bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

“Duke e njohur dhimbjen e vajzave dhe grave edhe të djemve e burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në bashkërendim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu propozojmë caktimin e datës 14 prill si ditë memoriale e të mbijeturave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovës”.

Vetëm 62 raste të dhunimeve seksuale të luftës janë në proces të hetimit, mbi 900 janë identifikuar

Në tetor të vitit të kaluar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën ndërkombëtare “dokumentimi i dhunës seksuale në konflikt” pati thënë se mbi 60 raste janë duke u hetuar për dhunime seksuale gjatë luftës në Kosovë, nga mbi 900 raste të cilat janë identifikuar.

Kurse gjyqësori deri tani ka arritur të dënoj vetëm një person.

“Për gjithë ne të cilët jemi të përfshirë në këtë proces, qëllim parësor kemi krijimin e një hapësire ku të mbijetuarat ndjehen të sigurta të flasin për përjetimet e tyre. Janë vetëm 62 raste në proces për dhunime seksuale dhe vetëm një dënim për krime lufte”, kishte deklaruar Haxhiu.

Kjo datë, 14 prilli përkon me datën famëkeqe të vitit 1999 atëherë kur Vasfije Kraniqi Goodman, në atë kohë 16 vjeçare, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht.

“Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera presidentja Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës.

Shënimi i kësaj dite si Ditë e të Mbijetuarve, është vlerësuar si moment i rëndësishëm në dokumentimin e të vërtetës, njëkohësisht shënon edhe njohjen simbolike, e cila është e rëndësishme në integrimin e plotë të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.

Në shënimin e kësaj dite, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës dhe organizatat anëtare të platformës “Bëhu zëri im”, në bashkëpunim me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, sot do të organizojë marshin: Në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Marshi do të fillojë në orën 12:00 nga sheshi Ibrahim Rugova, për të vazhduar deri tek monumenti Heroinat, ku do të prezantohet instilacioni “14 Prilli”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore