Kosova

Prokurori Qavolli, ministrit të Bujqësisë: Prokuroria ngriti 20 aktakuza për ndërtimet pa leje në Pejë


Zëvendës kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli dhe ministri i Bujqësië Faton Peci.

Zëvendës kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli, në raportimin e tij para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ka deklaruar se Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur 20 aktakuza për rastin e ndërtimeve pa leje në një fshat në Bjeshkët e Rugovës.

Këtë deklaratë ai e ka bërë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku janë duke raportuar kryeprokurorët e prokurorive të Kosovës para anëtarëve të Këshillit.

Sa i përket veprës penale “Ndërtime pa leje”, prokurori Qavolli tha se janë ngritur 429 aktakuza.

“E keni pa kohën e fundit që kanë qenë disa reagime për ndërtimet pa leje në një fshat të Bjeshkëve të Rugovës, ne si Prokurori nuk kemi qëndruar duarkryq në raport me ato raste, lidhur me ndërtimet pa leje ne kemi ngritur gjatë periudhës 429 aktakuza”, deklaroi Qavolli para anëtarëve të Këshillit.

Një deklarim i tillë nga prokurori Qavolli, ka ardhur pasi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci kishte reaguar për ndërtimet pa leje në fshatin Stankaj të Komunës së Pejës.

Kjo me arsyetimin se Prokuroria nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim lidhur me denoncimin e Ministrisë për ndërtimin e 25 vilave në këtë fshat.

Po ashtu, ai ka dhënë statistika edhe lidhur me rastet e dhunës në familje, duke thënë se gjatë periudhës raportuese janë pranuar 77 lëndë të kësaj natyre.

“Nga 77 lëndë të pranuara të dhunës në familje, Prokuroria në Pejë ka ngritur 66 aktakuza, janë hudhur tri kallëzime penale dhe në një rast janë pushuar hetimet”, raporton Betimi për Drejtësi.

Gjithashtu, në 13 kërkesa për caktim të paraburgimit, janë aprovuar të gjitha.

Përveç kryeprokurorët e Prokurorive të tjera, gjatë këtij takimi do të raportojë edhe Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, për periudhën prill-qershor 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore