Shqipëria

Prokurori i Durrësit ‘ngec’ në veting, shkarkohet nga KPK-ja


Prokurori në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, Ilir Turja është shkarkuar të hënën e 7 nëntorit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Trupa gjykuese përbëhej nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Pamela Qirko.

Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Prokurori i Durrësit u përball të enjten e 3 nëntorit me KPK-në.

Gjatë seancës dëgjimore, prokurori kundërshtoi analizën financiare që e kishte nxjerrë me mungesa të mëdha financiare.

Kjo, për ndërtimin e një objekti të regjistruar në emrin e babait të tij në vendin e quajtur “Plazhi i Durrësit”, si dhe dyshimet për fshehje të kësaj pasurie në emër të familjarëve.

Sipas BIRN-it, komisioni nuk konstatoi më herët probleme për aspektin profesional, ndërkohë që nuk u njoftua ndonjë gjetje në kriterin e pastërtisë së figurës.

Kjo, lidhur me informacionet e siguruara prej Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK pas përditësimit të raportit.

Në të ngriheshin dyshime për veprime korruptive në një çështje.

Ilir Turja e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995.

Ai punonte prej më shumë se dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore