Kosova

Profesori amerikan: Marrëveshja përfundimtare largon ndikimin rus nga Ballkani


Chalrles Kupchan

Qëllimi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë fazë të procesi të dialogut, sipas profesorit amerikan i cili për tri vite shërbeu si asistent special i presidentit amerikan, asokohe Barack Obamas, Chalrles Kupchan, është që Kosova dhe Serbia të pajtohen në atë mënyrë që Ballkani Perëndimor të mos jetë në qendër të vëmendjes.

“Pavarësisht se SHBA-të dhe BE-ja janë kryesisht të preokupuara me luftën në Ukrainë. Aspirata e tyre e përbashkët është të bëjnë gjithçka që është e nevojshme që të dyja palët të arrijnë qëllimin – kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thotë ai për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën serbe.

Zgjidhja graduale e çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe marrëveshja përfundimtare, argumenton më tej Kupchan, do të jenë hapa të rëndësishme për ta kufizuar dhe larguar ndikimin rus nga Ballkanin Perëndimor.

“Por, le të jemi realistë – nuk do të ndodhë brenda natës, është një proces që do të zgjasë ”, shton ai.

Kupchan ndër të tjera është i bindur se BE-ja dhe SHBA-të nuk janë duke e favorizuar njërën palë më shumë se tjetrën në bisedime.

“Nuk kam ndjesinë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po i japin ndonjë lloj supremacie njërës prej palëve për momentin”, shton ai.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen me Josep Borrell në Bruksel me 27 shkurt me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të mbështetur në Propozimin franko-gjerman (evropian).

Nëntë ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Albanian Post sërish kupton nga burime diplomatike se një pajtim për nënshkrim tashmë është dhënë nga të dyja palët.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, pas takimit të 27 shkurtit palët dalin me njoftimin se ka pajtim, edhe pse nënshkrimi zyrtar nuk bëhet atë ditë.

Kjo do ruhet për një moment tjetër, më ceremonial, dhe do marrë vëmendjen e nevojshme diplomatike e mediale të botës perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore