Film

Producenti: Jemi krenarë me rrugëtimin e “Zgjoi”-t


Yllka Gashi gjate gjirimeve te filmit "Zgjoi"

Protagonistja kryesore në filmin “Zgjoi”, aktorja Yllka Gashi, rrugëtimin e filmit e ka cilësuar si të paharruar edhe pse nuk arriti të nominohet në listën finale për çmimet “Oscars”.

“’Zgjoi’ na solli gëzim e na bëri krenarë të gjithëve dhe shkroi histori te re për kinematografinë tonë. Ishte dhe mbetet rrugëtim i bukur e i paharruar, për të cilin jam shumë falenderuese!”.

Për herë të parë, Kosova ishte futur në listën e ngushtë të filmave pretendentë për t’u nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, me filmin “Zgjoi” në evenimentin prestigjioz të “Oscars”.

Gashi përmes llogarisë së saj zyrtare në Facebook, u shpreh e bindur se filmi kosovar do të bëjë histori duke u nominuar në edicionet e ardhshme të Akademisë.

“’Zgjoi’ që e punuam me shumë pasion e përkushtim, na hapi dyer e na e mundësoi jo vetëm të kemi shpërthim ndërkombëtar në karrierat tona, por edhe ta promovojmë Kosovën e suksesin e grave të Kosovës”.

Ndërkaq, Ylli Uka, producenti i filmit “Zgjoi”, thotë për Albanian Post se megjithëse nuk është një lajm i mirë, ai ndihet mjaftë krenar, për të gjithë punën që është bërë.

Ylli Uka, prodcent i filmit “Zgjoi”

“Nuk është lajm i mirë, nuk është që kemi prit më shumë mirëpo jemi shumë krenar për rrugëtimin e deritanishëm që e ka pas Zgjoi, që prej festivalit ‘Sundance’ ku ka bërë historinë duke fituar tri çmime kryesore e deri te të gjitha çmimet e tjera. Jemi shumë krenarë me filmin Zgjoi”.

Regjisorja e filmit, Blerta Basholli bashkë me aktoren e rolit kryesor, Yllka Gashi e producentin, Ylli Uka, kishin nisur një kampanjë virtuale promovimi të “Zgjoit” nëpër mediat sociale.

“Kemi pritë të jemi sot në listë, kemi punuar shumë për këtë punë, qe dy muaj jemi duke punuar prej qe kemi hi në listën e ngushtë për nominim kemi punuar nga 20 or kampanjë”, është shprehur Uka për AP.

Duke pasur parasysh konkurrencën e filmit, për Ukën mos-nominimi është mjaftë i kuptueshëm.

“Konkurrenca ka qenë e jashtëzakonshme dhe konkurrentet tanë kanë pasur nga katër nominime, e kjo e shpjegojnë më së miri çfarë konkurrence kemi pas”.

“Zgjoi” është një film i bazuar në ngjarje të vërtetë që paraqet historinë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambiciet e grave për t’u zhvilluar nuk shihen me sy të mirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore