Lajme

Prodhuesi francez i automjeteve “Renault” rifillon prodhimin në Moskë


“Renault” rifilloi prodhimin në fabrikën e saj në Moskë të hënën e 21 marsit, sipas një zëdhënësi të kompanisë që citohet nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Prodhuesi francez i automjeteve pezulloi operacionet e saj në fund të muajit shkurt.

Asokohe përfaqësuesit e “Renault” thanë se pezullimi erdhi për shkak të një “ndryshimi të detyruar në rrugët ekzistuese logjistike”.

Fabrika e Moskës ndërton modelet “Duster”, “Captur”, “Arkana” dhe Nissan “Terrano”.

Sakaq, prodhuesi francez nuk është shprehur se për sa kohë do të vazhdojë të funksionojë uzina.

“Situata me furnizimin e komponentëve është e paqëndrueshme dhe si rrjedhojë, ne preferojmë të mos bëjmë asnjë parashikim”, deklaroi më tej një zëdhënës i Renault në Moskë.

Bordi i Renault ka vendosur të mbajë të paprekur praninë e saj në Rusi për momentin.

Kjo, duke respektuar sanksionet ndërkombëtare dhe me mbështetjen e aksionerit të saj kryesor, shtetit francez, thanë më tej për “Reuters” dy burime të afërta me çështjen.

Prodhuesi i Lada-s ruse, AvtoVAZ, i cili kontrollohet nga Renault, tha të hënën se po ndalon pjesërisht prodhimin në fabrikat e tij ruse në Togliatti dhe Izhevsk.

Shkak për këtë vendim është bërë mungesa e pjesëve elektronike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore