Lajme

Problemet e reja për çështjet e vjetra – Kosova dhe Serbia s’po e dinë për çfarë janë pajtuar në Bruksel


Fotografia e punuar nga Albanian Post

Kanë kaluar dy muaj prej kur Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat në kuadër të bisedimeve në Bruksel, por vetëm tani kanë marrë vesh se të njëjtin dokument e kuptojnë në mënyra të ndryshme.

Lajmi i arritjes së një marrëveshjeje për çështjen e targave fillimisht ishte dhënë nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, me 23 nëntor 2022.

Diplomati spanjoll përmes një deklarate të lëshuar në ditën e arritjes së marrëveshjes tha se është rënë dakord rreth masave për çështjen e targave në atë mënyrë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshme dhe se “detyronte Serbinë që të ndalojë lëshimin e targave të reja me akronime si “KM, PZ, PR” në njërën anë ndërsa Kosovën në anën tjetër të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm lidhur me riregjistrimin e automjeteve”.

Pa aneks sqarime të tjera, atëherë u kuptua se targat KM që veç ishin në përdorim do mund të vazhdonin të qarkullonin në Kosovë. Kjo u përforcua edhe me vendimin e 6 dhjetorit të qeverisë së Serbisë ku thuhej se ata serbë të Kosovë që kanë targa me “km” do të vazhdojnë t’i mbajnë, sepse u lejohet ta vazhdojnë regjistrimin.

“Ia dolëm t’i ruajmë targat”, pati thënë Petar Petkoviç, drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, atë kohë.

“Ia dolëm të ndalojmë prodhimin e targave ilegale”, thanë në anën tjetër nga Qeveria e Kosovës.

“Pajtimi” për targat do zgjaste vetëm me 18 janar, kur policia e Kosovës ndaloi një veturë me targa KM dhe siç sqaroi më pas ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, arsye ishte ri-regjistrimi që ajo veturë kishte bërë pas 5 dhjetorit.

Sqarimi i Sveçlës erdhi në momentin kur disa serbë nga komunat veriore të vendit u ankuan se u dolën probleme ditëve të fundit në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me veturat e tyre.

Kjo pasi Policia e Kosovës i ndaloi dhe paralajmëroi që nuk kishin të drejtë të vozisin ato makina pasi i kanë ri-regjistruar pas 5 dhjetorit.

Sveçla akuzoi Serbinë se ka shkelur dakordimin e nëntorit.

Në anën tjetër, Serbia është ankuar se Kosova po e shkel marrëveshjen duke ndaluar automjetet, ani pse sipas tyre marrëveshja për targat e përjashton një gjë të tillë.

Në këtë paqartësi, Albanian Post ka pyetur garantuesin e marrëveshjes, Bashkimin Evropian.

Sipas një përgjigje të zëdhënësit Peter Stano, Serbia në këtë rast nuk e ka shkelur marrëveshjen.

Stano shtoi se “Kosova duhet të përmbahet nga çfarëdo veprimi ndaj pronarëve të makinave që kanë targa ilegale dhe efektivisht të mbajë status-quon-në derisa të arrihet një zgjidhje më e qëndrueshme në dialog për këtë çështje”.

Ai sqarimin e ka mbështetur edhe në vendimin e Qeverisë së Serbisë të datës 6 dhjetor.

Sipas këtij dekreti Qeveria e Serbisë nuk do të emetojë më targa ilegale me akronime KM, PZ, PR, derisa kjo çështje të ketë një epilog të përhershëm në kuadër të dialogut.

Ky vendim thotë se “nuk do të lëshohen etiketa të reja regjistrimi për targat ilegale”, ndërsa “atyre të vjetrave do t’u zgjatet vlefshmëria deri sa të arrihet një zgjidhje e përhershme për këtë çështje”.

Nisur nga ky vendim, Stano thotë për AP se “ne (BE-ja), gjithashtu, kemi marrë parasysh vendimin e Serbisë që letrat ngjitëse të regjistrimit për targat KM nuk do të rinovohen”.

Por, ai thotë se “ne (BE-ja) kuptojmë se rinovimi i sigurimit dhe kontrolli teknik ka të bëjë me automjetin e jo me tabelat e regjistrimit, dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet rinovim i tabelave të regjistrimit”.

Për dallim nga Stano, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte një interpretim ndryshe të kësaj marrëveshjeje.

Fillimisht refuzonte ta quante marrëveshje, por i referohej si dakordim.

Thoshte se me të garantohet se nuk do të ketë më regjistrime të reja me targa ilegale në Kosovë e as vazhdim të atyre të vjetrave.

“Edhe tash nuk lëshohen targa atje në Veri dhe është shumë mirë sepse këtyre këtu ju del regjistrimi, janë më pak se 200 automjete në Kosovë me shoferë e pronarë serbë që i kanë tabelat ilegale e të cilat janë regjistruar sivjet (2022), krejt janë më të vjetra si sivjet, atyre krejt ka me ju dal regjistrimi, s’ka më regjistrim”, pohonte Kurti, në njërën nga seancat plenare të Kuvendit të Kosovës dy ditë pas arritjes së marrëveshjes për targat.

Nuk është hera e parë që ambiguiteti i BE-së i reflektuar në një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë ka shkaktuar konfuzion dhe rrjedhimisht interpretime të ndryshme për të njëjtën marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore