Lajme

Prishtina mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme


Perparim Rama, i zgjedhur kryetar i Prishtines

Fitorja e jashtëzakonshme e Përparim Ramës nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Prishtinë mund të mbetet vetëm si një moment elektoral suksesi dhe asgjë më shumë, nëse në mbledhjen e Asamblesë Komunale që mbahet këtë të mërkurë dështon të votohet kryesuesi i Kuvendit.

7 janari është afati i fundit sipas ligjit që mund të bëhet ky votim, meqë bëhen 30 ditë që kur Rama është betuar si kryetar i Prishtinës.

Po ashtu, në të njëjtën ditë janë betuar anëtarët e Kuvendit Komunal.

Sipas Ligjit për Qeverisje Lokale, kryesuesi duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve pas betimit të anëtarëve të Kuvendit Komunal.

Nëse zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit Komunal dështon, atëherë në kryeqytet do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme për Asamblenë Komunale dhe Rama për të qeverisur do të duhet të pres rezultatin e këtyre zgjedhjeve, duke shpresuar në fitore të LDK-së.

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka 51 ulëse dhe ndryshe nga fitorja e Ramës për kryetar, për të cilin votohet ndaras, LDK-ja doli e dyta pas Lëvizjes Vetëvendosje, me vetëm 14 asamblistë.

VV ka 17, derisa Partia Demokratike e Kosovës nëntë e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjashtë.

LDK-së për të qeverisur komodë i duhen së paku 26 ulëse, për të arritur shumicën e thjesht. Por, të paktën deri tani, nuk është njoftuar për ndonjë koalicion të madh që ia siguron kësaj partie 26 asamblistë.

Perparim Rama dhe Arben Vitia gjate fushates, pas nje debati elektoral

Po që se nuk arrihen, atëherë Kuvendi Komunal, si i vetëm, shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme për të ri-ngjyrosur politikisht karriget në Asamble.

Përparim Rama i fitoi zgjedhjet për kryetar Komune në raundin e dytë, në një garë jashtëzakonisht të ngushtë me favoritin para zgjedhjeve, Arben Vitinë e LVV-së.

Rama madje kishte humbur në raundin e parë duke fituar vetëm 29 për qind, në raport me fituesin e këtij raundi, Arben Vitinë, i cili mori 42 për qind.

Balotazhi prodhoi një rikthim sensacional të Ramës, duke përmbysur 11 mijën e 566 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore