Lajme

Pretendimi i Gjuriçit: Jemi një hap afër izolimit ndërkombëtar të Kosovës


Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç, pretendon se Serbia me performancën e delegacionit të saj në seancën e Këshillit të Sigurimit (KS) të Kombeve të Bashkuara (OKB), është një hap më afër “izolimit ndërkombëtar të Kosovës”.

Gjuriç, në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti”, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me performancën e tij, “në radhë të parë duke paraqitur makinacionet e veta dhe konstruksionet e rreme të realitetit, tani dhe mbarë botës i ka treguar fytyrë e vërtetë”.

“Ne kemi të gjitha arsyet për të qenë krenar për fjalimin e presidentit Vuçiç para forumit më të rëndësishëm të OKB-së, sepse ishte fjalimi i tij ai që ndezi alarmin e kuq edhe për përfaqësuesit e anëtarëve të OKB-së që njohin Kosovën – pra jo vetëm përfaqësuesit e vendeve që nuk e njohin – u deklaruan hapur për mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe kështu u rreshtuan në anën e Serbisë”, ka thënë Gjuriç.

Gjuriç pret që në periudhën e afërt të shohë gjëra konkrete, siç thotë ai, “dënimin e Kosovës dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit” përmes mekanizmave të gjerë të sanksioneve.

Ai vlerësoi se është shumë domethënëse që një numër kaq i madh i anëtarëve të OKB-së, me kërkesë të Serbisë, “iu përgjigjën ftesës dhe morën pjesë në diskutim, duke shprehur qëndrim negativ ndaj veprimeve të palës prishtinase”.

“Si dokument zyrtar i organit të lartë të OKB-së, Rezoluta 1244 nuk mund të kontestohet kurrë, sepse ajo u miratua nga anëtarët e OKB-së si organizata më e rëndësishme ndërkombëtare. Ne u jemi mirënjohës miqve tanë tradicionalë (Rusisë dhe Kinës), si dhe shumë vendeve të tjera që në fjalimet e tyre bënë thirrje për respektimin e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244”, potencoi ai.

Ndryshe, Gjuriç pritet të largohet nga pozita e ambasadorit të Serbisë në SHBA, pasi pritet të emërohet ministër i Jashtëm i Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore