Lajme

Presidentja që s’ka asgjë për të thënë


Me “ndërmarrjet kriminale” – mediat e Kosovës, siç i pati quajtur Prindon Sadriu, burri i presidentes Vjosa Osmani, kjo e fundit nuk arriti për një vjet që të ketë raporte të mira, derisa nga gazetarët kualifikimin që ka bërë zotëria i parë ndaj mediave, po e shohin si sulmin më të rëndë ndaj tyre, prejse Osmani është ulur në kolltukun e të parës së shtetit.

“AGK-ja e ka dënuar fuqishëm këtë gjuhë të rrezikshme të zotit Sadriu, dhe shprehim keqardhje që ka munguar një distancim i qartë i presidentes nga një gjuhë e tillë”, tha kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha për Albanian Post.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha

Madje raporti i Osmanit me mediat po cilësohet si i kufizuar nga Rexha, pasi sipas tij, ajo kishte tjetër qasje sa ishte deputete e Kuvendit të Kosovës.

“Zonja Osmani ka qenë shumë bashkëpunuese me mediat në kohën sa ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës, dhe e njëjta nuk është reflektuar në kohën që është në pushtet. Edhe pse në përgjithësi është tentuar të mbahet një raport normal me mediat, për këtë 1 vit komunikimi me institucionin e Presidencës ka qenë kryesisht i kufizuar”.

Osmani përgjatë një viti të rralla i kishte intervistat për mediat kosovare, derisa Rexha thotë se edhe konferencat e presidentes ishin të pakta.

“Fatkeqësisht, numri i intervistave të Presidentes ka qenë minimal për mediat vendore. zonja Osmani ka zgjedhur të flasë për mediat ndërkombëtare, që parimisht është në rregull sepse ajo konsideron se kjo është mirë për imazhin e Kosovës dhe të saj, por aty ajo nuk mund të sfidohet për politikat lokale. Presidentja Osmani do të duhej që të organizonte më shpesh konferenca për shtyp, në të cilat do të merrte pyetje të gazetarëve për punën e saj”, shtoi ai.

Lani: Raporti presidentes s’dallon nga ai i Vetëvendosjes

Autori i emisionit Frontal në T7 Arsim Lani, thekson për AP se për Albin Kurtin dhe LVV-në, ka qenë e pritshme, duke ditur edhe relacionet e mëhershme me mediat, por trajtimi që ua bënë Vjosa Osmani mediave është e habitshme, “ndoshta edhe nuk guxon të dal jashtë linjave të LVV-së, njëjtë siç veprojnë deputetët e Listës Guxo”.

“Duket se është një koordinim i përbashkët Qeveri-Presidencë për t’i trajtuar mediat si armiq të institucioneve të vendit. Me një opozitë kaq të dobët që ka sot pushteti, mediat shihen si pengesa më e madhe për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Prandaj ka një përpjekje të vazhdueshme dhe të përbashkët për ta shtypur dhe penguar punën e gazetarëve”, potencoi Lani.

Autori i emisionit Frontal në T7, Arsim Lani

Sipas tij, në kohën kur të gjithë prisnin qëndrimin e presidentes Osmani për t’u dal në mbështetje mediave kur ato sulmoheshin dhe linçoheshin nga pushteti, “ajo përmes bashkëshortit të saj i quajti ato “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Fakti që ajo u mundua ta arsyetojë postimin e Prindon Sadriut, heshti kur shefi i kabinetit të saj, Vela i etiketoi mediat si “pronto-media” janë mjaftueshëm tregues se prapa këtyre qëndrimeve është vetë e para e shtetit. Nuk besoj që Vela, Kupina apo Prindoni kanë guxim të postojnë diçka pa pasur lejen e shefes së tyre”.

Lani kur flet për mosprezencën e Osmanit në mediat vendore, konsideron që ajo nuk kishte çfarë të tregonte, “pasi ka dështuar në politikën e jashtme”.

“Me dëshirë Osmani do të fliste për sukseset në politikën e jashtme-njohjet, takimet e niveleve të larta, vizitat në SHBA. Por asnjëra nga këto nuk ka ndodhur, prandaj Osmani zgjedh heshtjen ose jep intervista për mediat e huaja që nuk kanë shumë njohuri për zhvillimet në Kosovë”.

Burri i presidentes, i quan mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”

Më 8 shkurt, Prindon Sadriu, burri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i kishte quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi raportuan se Osmani, sa ishte deputete, ishte kompensuar me 4 mijë euro, për derivatet e shpenzuara, përkundër se ajo jetonte në Prishtinë dhe sipas rregullores deputetët që jetojnë në kryeqytet nuk kanë të drejtë kompensimin.

Prindon Sadriu, burri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikes, e persona të përfshir në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork 1 mijë e 200 dollarë ne Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin 50 dollarë për person (drekat e darkat iu shkonin deri në mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu në rrjetin e tij social në Facebook.

Por, Osmani gjatë një interviste në RTK kishte thënë se bashkëshorti i saj Prindoni, nuk i ka quajtur mediat “ndërmarrje kriminale”, por nuk është lexuar si duhet shkrimi i tij në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore