Lajme

Çartet burri i Presidentes, i quan mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”


Prindon Sadriu dhe Vjosa Osmani

Prindon Sadriu, burri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi raportuan se Osmani, sa ishte deputete, ishte kompensuar me 4 mijë euro, për derivatet e shpenzuara, përkundër se ajo jetonte në Prishtinë dhe sipas rregullores deputetët që jetojnë në kryeqytet nuk kanë të drejtë kompensimin.

Sipas tij e gjithë kjo piketim e Osmanit nga mediat e ka një qëllim, “njollosjen e punës së presidentes”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikes, e persona të përfshir në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork 1 mijë e 200 dollarë ne Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin 50 dollarë për person (drekat e darkat iu shkonin deri në mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu në rrjetin e tij social në Facebook.

“Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qëpues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes. Për juve shteti është vetëm mjet për mbrojtjen e interesave biznesore e kriminale. Kaq!”.

Ndryshe, Këshilltari për media e Zyrës së Presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka tentuar ta shfajësoj Presidenten Vjosa Osmani, duke potencuar se kjo e fundit nuk ka qenë e informuar nga administrata e Kuvendit për kompensimin e udhëtimit.

Bekim Kupina dhe Vjosa Osmani

“Osmani asnjëherë nuk është informuar nga administrata e Kuvendit apo trupat e tjerë të Kuvendit, që ndërkohë është marrë një vendim i tillë për kompensim”, vazhdon statusi.

Sipas Kupinës, Presidentja sa ka qenë deputete nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim për udhëtim.

Ai madje ka bërë të ditur se Osmani edhe pse është regjistruar si deputete nga komuna e Mitrovicës, shumicën e kohës ka udhëtuar nga Gjilani për në Prishtinë.

Ditë më parë Kupina, kishte publikuar shpenzimet vjetore të Zyres së Presidentes së Kosovës duke thënë se ka pasur ulje drastike në të gjitha kategoritë.

Sipas tij asnjë cent nuk është shpenzuar dosido.

Për Kupinën racionalizmi i shpenzimeve është parim kryesor që e ka ndjekur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që nga dita e parë, fillimisht në Kuvendin e Kosovës e më pas në presidencë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore