Lajme

Presidenti polak: Nuk ka asnjë provë përfundimtare se kush e lëshoi raketën


Presidenti polak Andrzej Duda deklaroi se nuk ka asnjë provë përfundimtare se kush e lëshoi raketën në fshatin polak Przewodów.

“Ne e dimë shumë mirë se ka pasur një sulm raketor rus kundër Ukrainës gjatë gjithë ditës, por nuk kemi asnjë provë përfundimtare se kush e ka gjuajtur atë raketë”, tha Duda. “Kjo ka shumë të ngjarë të jetë një raketë e prodhuar nga Rusia”.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës së presidentit polak para Byrosë së Sigurisë Kombëtare.

Duda konfirmoi se ambasadori i Polonisë të mërkurën e 11 nëntorit do të marrë pjesë në një takim të planifikuar më parë të NATO-s.

“Ka mundësi që ai të aplikojë për aktivizimin e nenit 4 të NATO-s”, vërejti kreu i shtetit.

Presidenti Andrzej Duda bisedoi më herët me presidentët Joe Biden, Volodymyr Zelensky dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sipas tij, Joe Biden e siguroi se “Shtetet e Bashkuara i mbajnë aleancat e tyre” dhe “të gjitha dispozitat e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe angazhimet aleate janë në fuqi”.

“Hetimi në vend po vazhdon, ka mundësi që hetime të mëtejshme të kryhen me bashkimin e forcave aleate”, shtoi Duda.

Në përmbyllje, ai deklaroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e kishte siguruar se ishte një raketë ruse e lëshuar nga Rusia.

“Qetësi dhe maturi”

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki bëri thirrje nga ana tjetër për “qetësi dhe maturi” pas mbledhjes “urgjente” të qeverisë duke deklaruar se “kaosi është një armë ruse”.

Kreu i qeverisë polake theksoi fillimisht se janë ngritur të gjitha shërbimet në një gjendje gatishmërie të shtuar.

Ai konfirmoi se ambasadori rus në Poloni është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Sipas tij, autoritetet polake po monitorojnë hapësirën ajrore me vëmendje të veçantë dhe po kryejnë analiza dhe konsultime me aleatët në lidhje me përdorimin e nenit 4 të NATO-s.

“Ne kemi vendosur të rrisim gatishmërinë luftarake të degëve individuale të Forcave të Armatosura polake, me theks të veçantë në mbrojtjen ajrore”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri polak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore