Shqipëria

Presidenti Meta uron vitin e ri – Mesazh për integrimin, të rinjtë dhe demokracinë


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar shqiptarët për festën e ndërrimit të viteve, duke vënë piketat në disa këndvështrime, ky më kryesoret ishin ato mbi integrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, të rinjtë dhe demokracinë.

“Dua t’ju përcjell urimet më të përzemërta, për një Vit të Ri, që do ta shohë Shqipërinë më demokratike dhe më të drejtë, më të bashkuar e më të fortë, por edhe shqiptarët më të shëndetshëm dhe më të begatë”.

Kështu e nis Meta videomesazhin e tij.

Më tej, ai i kërkon qytetarëve të mobilizojnë fuqitë dhe energjitë, për të tejkaluar sfidat e mëdha.

“Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit! Të mos lejojmë që e vërteta të përmbytet nga gjepurat, pasiviteti dhe nënshtrimi! Me shpresë, besim, punë, këmbëngulje, përfshirje dhe dashuri ne mund të arrijmë gjithçka”.

Duke sjellë në vëmendje vitin e largët 1992, kur Shqipëria stabilizoi raportet me vendet e BE-së pas diktaturës, kreu i shtetit nuk i kursen kritikat.

“Uroj që 30 vite më pas, më në fund të shënojmë një hap të ri në procesin tonë të vonuar të anëtarësimit drejt Bashkimi Europian, përmes një përfshirjeje dhe aktivizmi më të madh qytetar për realizimin e kësaj aspirate strategjike” thekson ai.

Teksa në mbyllje, kërkon që Shqipërinë evropiane, populli ta stolisi me punën dhe vitalitetin e tij. Mbi të gjitha të rinjtë!

“Me këtë mesazh, dua t’ju bashkohem të dashur bashkëkombas, kudo ndodheni, pranë vatrave dhe familjeve tuaja, duke ju uruar nga zemra shëndet, mbarësi, paqe, lumturi, dhe begati”, përmbledh Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore