Sport

Presidenti i Milanit: Pas suksesit në Champions, prioritet do të jetë stadiumi i ri


Presidenti i Milan-it, Paolo Scaroni, këmbëngul se një stadium i ri për kuqezinjtë dhe rivalët e tyre të qytetit, Inter-in, është një prioritet, veçanërisht pas arritjeve të tyre në Ligën e Kampionëve.

Kuqezinjtë janë kualifikuar në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve për herë të parë pas 11 vitesh, duke mposhtur Tottenham-in me rezultat të përgjithshëm 1:0.

Inter-i dhe Napol-i janë gjithashtu në mesin e tetë klubeve më të mira në Evropë këtë sezon dhe ata mund të takohen në çerekfinale në shortin e së premtes.

“Pa dyshim, një derbi në Evropë do të ishte një ngjarje globale, do të thoshte shumë për qytetin e Milanos, i vetmi qytet në Evropë me dy klube në këtë nivel në Champions League”, tha Scaroni për “La Gazzetta dello Sport”.

“Ky rezultat konfirmon prioritetin për t’i dhënë klubeve një stadium të ri, për të vazhduar konkurrencën në skenën ndërkombëtare”, shtoi i pari i klubit kuqezi.

Inter-i dhe Milan-i po punojnë në dy projekte të ndryshme për një stadium të ri dhe kuqezinjtë duken të vendosur të ndërtojnë arenën e tyre pa Inter-in në zonën e La Maura, jo shumë larg nga stadiumi i tanishëm, San Siro.

Në anën tjetër Inter-i ende shpreson se Milan-i do të pranojë të ndërtojë stadiumin e ri me ta afër “San Siro”-s.

Scaroni mes tjerash foli edhe për suksesin e skuadrave italiane në Ligën e Kampionëve, si dhe shpreson që ekipi i tij të shkojë sa më larg.

“Unë do të doja që të gjitha klubet e Serie A të kenë një shans për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, do të ishte një sukses i madh,” tha ai.

“Tetë klubet e mbetura në kompeticion janë më të mirët në futbollin evropian, ne jemi gati për një ndeshje të menduar por emocionuese pavarësisht kundërshtarit”.

Nga ana tjetër, drejtori i Inter-it, Beppe Marotta, tha se takimi me Milan-in në çerekfinale do të ishte i mirë, edhe nëse gjëja më e mirë do të ishte një derbi evropian në finalen e Stambollit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore