Shqipëria

Presidenti gjerman do të vizitojë Shqipërinë në fillim të dhjetorit


Presidenti Federal i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier do të udhëtojë nga data 29 nëntor deri më 2 dhjetor drejt Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur nga ambasada gjermane në Tiranë.

Udhëtimi, sipas njoftimit, është një sinjal i mëtejshëm se Gjermania po mbështet dhe ndjek intensivisht rrugën evropiane të rajonit në tërësi dhe të Shqipërisë në veçanti.

Presidenti Steinmeier ka patur mundësinë të njihej me Tiranën dhe të zhvillonte bisedime në detyrën e tij të mëparshme si Ministër i Jashtëm.

Ai do të vizitojë Shqipërinë me ftesë të presidentit shqiptar Bajram Begaj.

Kjo është hera e parë në 27 vjet që një president gjerman viziton Republikën e Shqipërisë.

Programi i udhëtimit përfshin bisedime me presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama si dhe një fjalë në Kuvend.

Gjithashtu është planifikuar një takim me nxënës/e nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, një diskutim mbi ballafaqimin me të kaluarën komuniste dhe një vizitë në një kompani gjermane, ku do të hidhet dritë mbi potencialet ekonomike dhe mundësitë në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore