Lajme

Presidenca suedeze e Këshillit të BE-së: Kosovarët do të mund të qëndrojnë 90 ditë, pas çdo 180 ditësh në Evropë


Ilustrim

Lajmin për kalimin në lexim të parë të propozimit për lëvizje të lirë për kosovarët, e ka bërë publik edhe Suedia të cilët kryesojnë me Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Sot, Këshilli pranoi pozicionin e tij në lexim të parë për lëvizje pa viza për mbajtësit e pasaportave të Kosovës”, shkruan zyra suedeze presidenciale e Këshillit të BE-së në Twitter.

Përveç kësaj, presidenca ka dhënë edhe një detaj të rëndësishëm rreth kësaj mundësie të lëvizjes pa viza për shtetin e Kosovës.

“Rregullat e reja do t’u lejojnë mbajtësve të pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë prej 180 ditësh”.

Të gjithë qytetarët të cilët kanë pasaportë të Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në territorin e Bashkimit Evropian, pasi që ky propozim të kaloj në Parlamentin e Evropës dhe data nga kur kjo mund të ndodhë, do të vendoset nga Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtim (ETIAS), ose më një janar të vitit 2024.

Eurodeputeti holandez dhe njëherit raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Thijs Reuten, votimin unanim për lëvizje pa viza për kosovarët e ka quajtur “hap të rëndësishëm”.

“Unë mirëpres këtë vendim të shteteve anëtare”, ka shkruar ai në Twitter.

Pas votimit në komitetin e punëve të brendshme dhe më pas në Parlamentin Evropian, së paku nga data një janar 2024, “Kosova do të fitojë lëvizje pa viza që i takon në mënyrë të merituar dhe të pritur prej kohësh”, ka përfunduar Reuten.

Për eurodeputetin austriak, Lukas Mandl, ky vendim për kosovarët është i vonuar.

“Ne kemi arsye të jemi të lumtur”, ka shkruar Mandl në Twitter.

“Por, ne gjithashtu duhet të pyesim pse disa vendime që bëjnë jetën më të lehtë për shumë njerëz dhe nuk do të dëmtonin askënd, ndonjëherë marrin aq kohë në BE”, ka thënë ai.

“Ne duhet të tejkalojmë këto qasje ideologjike. Le të shërbejmë Evropën dhe evropianët”, ka përfunduar cicërimën e tij në Twitter, eurodeputetin austriak, Lukas Mandl.

Me 26 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka kaluar propozimi për liberalizimin e Vizave për Kosovën, në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian për Çështje të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, në takimin që u mbajt këtë të enjte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore