Sport

Premier League/ Manchester City kërkon të ruajë kryesimin, skuadra e Rashicës pret Gerard-in


Dy ndeshje do të luhen këtë të martë në Premier League. Manchester City i Pep Guardiola-s do të presë Leeds-in e Marcelo Bielsa-s.

Norwich-i ku aktivizohet lojtari i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica përballet me Aston Villa-n e Steven Gerrard-it.

Ndeshjet luhen për javën e 17 në Premier League angleze. Janë pikërisht këto ndeshje që ngrejnë siparin e kësaj jave.

Sfida e parë do të luhet në “Carrow Road”. Norwich-i do të përballet me Villa-n, duke filluar nga ora 20:45. Ylli i dardanëve, Rashica, pritet të mos jetë i gatshëm për këtë sfidë për shkak dëmtimi.

Dean Smith-i që aktualisht drejton “kanarinat”, më herët ka qenë trajner i Villa-s, para se vendin e tij ta merrte Gerard-i. Nën drejtimin e tij, Norwich-i numëron një fitore, dy barazime dhe dy humbje.

Në krahun tjetër, Gerard-i e ka drejtuar Villa-n në pesë ndeshjet e fundit në Premier League. Ai numëron tre fitore dhe dy humbje.

Në renditjen e kampionatit janë miqtë që qëndrojnë më lart. Vendi i 16 dhe 19 pikë janë për Villa-n. Vendi i fundit dhe 10 pikë për të zotët e shtëpisë.

“Etihad Stadium” do të presë ndeshjen tjetër të kësaj të marte në Premier League. City vendas do të presë miqtë nga Leeds-i, duke filluar nga ora 21:00.

Skuadra e Pep Guardiola-s udhëheq kampionatin me 38 pikë. Një pikë më shumë se Liverpool-i i vendit të dytë dhe dy më shumë se Chelsea i vendit të tretë. Leeds-i në krahun tjetër renditet në vendin e 15 dhe me 16 pikë.

Të vetmen humbje që City ka në shtëpi këtë sezon e ka marrë përballë Crystal Palace-t në fillim të sezonit me shifrat 2-0. Leeds-i në transfertë numëron katër humbje në tetë javë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore