Lajme

“Pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon joseriozitetin e drejtuesve të shtetit”, reagon LDK-ja


Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka theksuar se e vlerësojnë dakordimin e së mërkurës mes Kosovës dhe Serbisë për targat, derisa e konsiderojnë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme “gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit”.

“Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës”.

Po ashtu kjo parti u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend.

“Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën”.

Të mërkurën, pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel, Kosova është pajtuar që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale dhe kështu është nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi marrëveshje”, shkroi krye-diplomati evropian, Josep Borrell në Twitter, duke njoftuar arritjen e pajtimit.

“Shumë i kënaqur të njoftoi se krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur marrëveshje për masat që shmangin eskalimin e mëtejshëm dhe do të koncentrohen krejtësisht në propozimin për normalizim raportesh”, thuhet në njoftim.

Sipas marrëveshjes së arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, pra nuk do ketë gjoba dhe as konfiskime, ndërsa Serbia do të ndalojë lëshimin e targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

“Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, falënderoj të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe palët për punën e palodhur”, shtoi Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore