Lajme

Pozitë e opozitë përplasen për kredinë me KFW-në e Gjermanisë


Ferat Shala, Hekuran Murati dhe Mimoza-Kusari Lila.

Pozitë e opozitë janë përplasur për marrëveshjen e kredisë mes Qeverisë së Kosovës, KOSTT-it dhe KFË-së së Gjermanisë për përmirësimin e rrjetit të transmetimit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se është duke lejuar që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike në Kosovë (KOSST), të hyj në kredi për herë të dytë, pa e ditur se si do bëhet kompensimi i kësaj kredie.

Ai në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se puna e parë që ka bërë ekzekutivi ka qenë marrja e 40 milionë eurove nga KOSST-i.

“Nëse ju kujtohet kur erdhi Qeveria Kurti punën e parë që e bëri është se ia morri 40 milionë euro ndërmarrjes ‘KOSST’ që ishin mjete të mbetura nga mosrealizimi i projekteve kapitale për shkak të pandemisë”.

“Pra, Qeveria Kurti dhe ministrin që kërkon kredi që sot e kemi këtu me këmbëngulje kërkoi dhe insistoi dhe i bindi dhunshëm menaxhmentin e KOSST-it që mjetet e mbetura nga buxheti i parealizuar për investime kapitale t’i marrë dhe t’i paguajë dhunshëm.

“E them ‘dhunshëm’ sepse ky Kuvend e obligoi KOSST-in me rezolutë t’i paguajë mjetet për humbjet në Veri”, tha Shala.

Sipas tij, situata në katër komunat në Veri vazhdon të jetë edhe më keq sesa që ishte në të kaluarën për shkak të politikave të gabuara të ministrit Murati.

“Në këtë Kuvend me qëndrim të shumicës parlamentare kemi nxjerr si kuvend rezolutë dhe në pikën 4 të rezolutës e kemi autorizuar KOSST-in që mjetet për humbjen në Veri t’i marrë për bazë KOSST-I”.

“Për dy vjet ne e kemi gjendjen hala më keq, para se të kërkojmë kredi nga ministri duhet të na jep llogari se sa është implementuara rezoluta e këtij kuvendi, cilat pika të kësaj rezolutë janë zbatuar, sa kemi pasur efekt, cila është e vërteta, ku është marrëveshja për energjinë, ku është faturimi, ku është udhërrëfyesi”.

Ai tutje ka thënë se kjo është hera e dytë që KOSST-i është duke hyrë në kredi.

“Për dy vjet qeverisje, KOSST-i po hynë për herë të dytë në kredi. A ka kapacitet financiar që KOSST-i për dy vjet t’i paguajë dy kredi. Ministri i Financave i ka dhënë kredi KOSST-it para disa muajsh sepse është në krizë financiare dhe i ka dhënë kredi afatshkurtër, pa asnjë analizë ekonomike, sociale po futet KOSST-i në kredin e dytë”.

Ministri i Financave Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka sqaruar kredia e dytë ka të bëjë me investimet në përmirësimin dhe zgjerimin e rrjeteve të nënstacioneve.

“Kredia që sot kemi paraqitur ka të bëjë me investimet në përmirësimin dhe zgjerimin e rrjeteve të nënstacioneve të KOSST-it që është në kuadër të modelit të biznesit të zakonshëm”.

“Kredia e parë ka shërbyer si urë likuiditeti e cila tashmë e ka kryer funksionin e vet dhe është kthyer nga KOSST në llogari të Qeverisë. Çështja e dytë që u ngrit kishte të bënte edhe me nevojën për këtë kredi apo me studimin e fizibiltetit për këtë ekzistojnë qëllime dhe analiza të cilat janë bërë nga KOSST-i. Kjo neve na ka ardhur si kërkesë nga KOSST-i dhe siç e shihni bëhet fjalë për fazën e shtatë”.

Ndër të tjera ai ka shtuar se Qeveria nga këto kredi nuk ka përfituar asgjë.

“Qeveria nuk ka përfituar asgjë vetëm se e ka zgjatur si likuiditet”.

Lidhur me këtë ka ndërhyrë edhe shefja e grupit parlamentar ajo u shpreh se edhe Qeveria do të donte që situata në Veri të ishte normale, por që kjo nuk varet vetëm nga ta.

“Natyrisht, që ne do të donim që situata në Veri të ishte normale. Që të gjithë banorët pa dallim të ishin duke paguar energjinë elektrike, që të kishte zbatim të plotë të udhërrëfyesit, por ja që nuk është sepse për t’u zbatuar të gjitha këto nuk është vetëm vullneti dhe puna e Qeverisë”, tha Kusari-Lila.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore