Lajme

Portreti i fundit i Gustav Klimt pritet të arrijë 65 milionë paund në ankand


Një portret nga Gustav Klimt i përshkruar si një “odë e përzemërt për bukurinë absolute” pritet të arrijë 65 milionë paund kur të shitet në Londër këtë muaj.

“Dame mit Fächer” është portreti i fundit i përfunduar i Klimt.

Vepra qëndronte në një kavalet në studion e tij kur piktori austriak ndërroi jetë papritur nga një goditje në tru dhe pneumoni në vitin 1918 në moshën 55-vjeçare.

Është një nga veprat më të mira dhe më të vlefshme të artit që ofrohen në Evropë, sipas Sotheby’s që po e shet pikturën gati 30 vjet pasi ajo u ble nga pronarët e saj aktual.

“Është portreti i fundit i përfunduar nga Klimt përpara vdekjes së tij të parakohshme, kur ai ishte ende në kulmin e tij artistik dhe duke prodhuar disa nga veprat e tij më të arrira dhe eksperimentale”, ka thënë Helena Newman, drejtuesja botërore e artit impresionist dhe modern të Sotheby’s.

Sakaq, portreti është i një gruaje pa emër, veshja e lirshme e së cilës zbulon një shpatull të zhveshur në një sfond të gjallë lulesh dhe zogjsh.

Pasqyron magjepsjen e Klimt-it me artin dhe kulturën kineze dhe japoneze, ai e mbushi shtëpinë e tij me qeramikë kineze dhe stampa japoneze druri, dhe shpesh vishej me kimono mëndafshi ose rroba kineze.

Portreti është pikturuar në një format katror, me përmasa afërsisht 1 metër katror, të cilin Klimt e rezervoi për veprat e tij më avangarde.

“Bukuria dhe sensualiteti i portretit qëndron në detaje: njollat e blusë dhe rozës që gjallërojnë lëkurën, linjat me pupla të qerpikëve dhe buzët e ngjeshura që i japin karakter fytyrës së saj”, ka thënë Thomas Boyd-Bowman, kreu i shitjes në Sotheby’s.

“Klimt këtu i dha vetes lirinë e plotë për të kapur në kanavacë një grua jashtëzakonisht të bukur. Shpatulla e saj e zhveshur në mënyrë provokuese, ekuilibri dhe siguria e qetë në vetvete kombinohen me një efekt mahnitës”.

“Dame mit Fächer” u ble menjëherë pas vdekjes së Klimt nga Erwin Böhler, një industrialist vjenez dhe mik i ngushtë i artistit. Është një nga një numër i vogël i portreteve të Klimt që kanë mbetur në duar private.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore