Lajme

Populizëm edhe me fëmijë: MASHT-i tash e tutje ua kalon paratë për tekste shkollore manualisht prindërve


Arbërie Nagavci

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur që nga ky vit të ndryshojë mënyrën e pagesës për librat e fëmijëve në shkollat fillore, duke e paqartësuar fillimisht krejtësisht se si do të bëhet shpërndarja e librave dhe duke e shkatërruar një model shumë funksional që ishte deri më tani.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin e nga Ministria, e cila, siç ka treguar vetë Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavic, nuk e ka vendosur akoma as modelin e aplikimit, por as levat me të cilat sigurohet se prindërit paratë e marrë nga ministria do t’i shpenzojnë në librat e fëmijëve.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora  dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

“Pas shumë përpjekjeve shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin dhe kanë thënë se çmimet e tyre janë të panegociueshme”, tha Nagavci, duke mos treguar se shtëpitë botuese prapë me ato çmime do t’i shesin librat e tyre edhe nëse ato blihen në ndonjë formë tjetër e jo direkt nga ministria.

I pakuptueshëm ishte fakti se Nagavci arsyetohej se të vazhdohej sic ka qenë deri më tani ishte “çmimi i papërballueshëm edhe për buxhetin e shtetit”, duke mos sqaruar se me modelin e ri si parashihet të ulet shuma e shpenzuar nga buxheti.

Por, si do të jetë modeli i shpërndarjes?

Këtë nuk e di askush, as vetë ministria, kur kanë mbetur edhe fare pak ditë deri në fillim të vitit shkollor.

Zëvendës-ministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, e pranoi se akoma janë “duke e shqyrtuar mundësinë që mjetet për tekste shkollore të jepen me modulin për aplikim në E-Kosova dhe shpejt do ta bëjmë linkun për prindërit dhe të gjithë fëmijët”.

Kur është “së shpejti”?

Këtë nuk e dinë nga ministria, meqë, tha Kelmendi vendimi akoma nuk është përfundimtar.

“Ky është vendim potencial”, pohoi.

Por, sqaroi se “mënyra se si është menduar të bëhet rimbursimi është se do të bëhet në xhirollogaritë e prindërve. Prindi në momentin që identifikon vetën dhe numrin identifikues automatikisht dalin të dhënat e prindërve dhe në fund është klauzolë për prind apo kujdestar. Pagesa do të bëhet paraprakisht që të blihen librat”.

Ministrja Nagavi u pyet se si do të sigurohen që paratë që i japin për libra do të përfundojnë pikërisht për libra dhe jo të shpenzohen në forma tjera, ajo nuk ka pasur përgjigje, përveç se tha që pret bashkëpunim.

“Prindërit e kanë obligim për fëmijët e tyre dhe në momentin që aplikojnë ata obligohen. Këtu na nevojitet bashkëpunimi i të gjithëve”.

Ministria, që marrëveshjen me shtëpitë botuese nuk e ka bërë për shkak të çmimit, akoma nuk ka as projeksion se sa do të kushtojë në këtë formë të re.

“Nuk kemi shifra finale, sepse po i shqyrtojmë disa mundësi”, deklaroi Nagavci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore