Lajme

Polonia nxjerr 100 tonë peshq të ngordhur nga lumi Oder


Në Poloni, zjarrfikësit kanë nxjerrë 100 tonë peshq të ngordhur nga lumi Oder që kalon nëpër Gjermani dhe Poloni.

Kjo i ka thelluar shqetësimet për një fatkeqësi mjedisore për të cilën ende nuk është identifikuar asnjë shkak.

“Kurrë nuk do të kishim pasur një operacion të tillë në një lumë më parë”, ka thënë Monika Nowakowska-Drynda nga zyra kombëtare e shtypit e zjarrfikësve.

Sakaq, ka konfirmuar se afro 100 tonë peshk të ngordhur ishin gjetur që nga e premtja.

Mbi 500 zjarrfikës kanë gjetur peshqit e ngordhur me ndihmën e digave, varkave dhe një droni.

Komunat gjermane e ndaluan larjen dhe peshkimin në Oder pasi mijëra peshq të ngordhur u gjetën duke lundruar në lumin 520 milje, i cili shkon nga Republika Çeke në Detin Baltik përgjatë kufirit midis Gjermanisë dhe Polonisë.

Shumë kanë ngritur shqetësimin se ngordhja masive e peshqve mund të bënte kërdinë në të gjithë ekosistemin e Oder-it.

“Është një katastrofë që do të na qëndrojë me vite të tëra”, ka thënë Karina Dörk, një administratore e qarkut të rajonit Uckermark të Gjermanisë.

Ende mbetet i paqartë shkaku i ngordhjes së tyre.

Polonia ka ofruar një shpërblim prej 210 mijë euro për këdo që mund të “ndihmojë në gjetjen e atyre që janë përgjegjës për këtë fatkeqësi mjedisore”.

“Ndoshta sasi të mëdha të mbetjeve kimike u hodhën në lumë në dijeni të plotë të rrezikut dhe pasojave”, ka thënë kryeministri polak Mateusz Morawiecki.

Kurse ministrja e mjedisit Anna Moskwa ka thënë se “asnjë nga mostrat e testuara deri më tani nuk ka treguar praninë e substancave toksike”.

Sipas shkencëtarëve të atjeshëm, testet laboratorike kanë zbuluar vetëm nivele të larta të kripës.

Ministrja ka treguar po ashtu se qeveria po shqyrton shkaqet e mundshme natyrore dhe në veçanti përqendrimet më të larta të ndotësve dhe kripësisë si rezultat i niveleve më të ulëta të ujit dhe temperaturave të larta.

Qarkullon edhe një hipotezë tjetër që ujërat e zeza industriale me përmbajtje të lartë klori derdhen në lumë.

Ndërkaq, mostrat e ujit janë dërguar në laboratorë në Republikën Çeke, Holandë dhe Britani me shpresën për të gjetur shkakun.

Raportimet e para për këtë situatë të rëndë janë bërë nga vendasit dhe peshkatarët.

Dhe qeveria ka qenë nën kritika të rënda për dështimin për të ndërmarrë veprime të shpejta.

Më herët, Morawiecki shkarkoi kreun e kompanisë shtetërore përgjegjëse për menaxhimin e ujit dhe kreun e inspektoratit të mbrojtjes së mjedisit.

Mirëpo, zyrtarët gjermanë kanë akuzuar autoritetet polake se nuk i kanë informuar për ngordhjet masive dhe janë befasuar kur vala e peshqve të pajetë doli në sipërfaqe.

Oder është njohur si një lumë relativisht i pastër.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore