Lajme

Polonia fillon ndërtimin e murit në kufirin me Bjellorusinë


Polonia ka filluar të ndërtojë një mur përgjatë kufirit me Bjellorusinë, me anë të të cilit synon të parandalojë hyrjen e azilkërkuesve në vend.

Muri me tela gjembor do të kalojë nëpër një pyll të mbrojtur dhe një zonë të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Roja kufitare polake tha se barriera do të jetë e gjatë 186 kilometër (115 milje), pothuajse gjysma e gjatësisë së kufirit të përbashkët nga të dy vendet dhe do të arrijë deri në 5.5 metra lartësi.

Kostoja e tij do të kapë vlerën e 353 milionë eurove. Ai do të jetë i pajisur me detektorë lëvizjeje dhe kamera termike.

Polonia ka akuzuar presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, se ka provokuar qëllimisht një krizë të re refugjatësh në Evropë, duke organizuar lëvizjen e njerëzve nga Lindja e Mesme në Minsk dhe u premtuar atyre një kalim të sigurt në Bashkimin Evropian si hakmarrje për sanksionet që ka vendosur Brukseli ndaj autoritarit të regjimit.

Mijëra azilkërkues, kryesisht nga Siria, Kurdistani i Irakut dhe Afganistani u kapën në përpjekje për të kaluar kufirin dhe u shtynë me dhunë në Bjellorusi nga rojet kufitare të Polonisë.

Qindra familje u bllokuan në pyllin midis dy vendeve mes një dimri të ftohtë.

Të paktën 19 persona kanë vdekur që nga fillimi i bllokimit kufitar midis Polonisë dhe Bjellorusisë.

Shumica e tyre vdiqën nga ekspozimi ndaj temperaturave të ulëta.

Urgjenca humanitare arriti kulmin e saj në nëntor, kur autoritetet bjelloruse shoqëruan mijëra azilkërkues në kufirin polak.

Dhjetëra refugjatë treguan se si trupat bjelloruse mblodhën grupe deri në 50 persona dhe prenë telat me gjemba me gërshërë për t’i lejuar ata të kalonin.

“Ndërtimi i barrierës në kufirin polako-bjellorus ka filluar”, thuhet në një deklaratë nga roja kufitare polake në Twitter.

“Është investimi më i madh ndërtimor në historinë e rojës kufitare”.

Kostoja është afërsisht 10 herë më shumë se i gjithë buxheti i Departamentit të Migracionit të Polonisë këtë vit.

Lajmi ka ngritur shqetësime për të drejtat e njeriut midis punonjësve të ndihmës dhe organizatave bamirëse të shqetësuara se refugjatët, që ikin nga konfliktet dhe uria, nuk do të jenë në gjendje të aplikojnë për azil dhe ka gjithashtu shqetësime mjedisore.

“Këto para mund të përdoren për të ndërtuar dhe nisur një politikë efektive dhe humane të migracionit, pritjes dhe azilit”, tha një zëdhënës i Fondacionit Ocalenie, i cili mbështet refugjatët që jetojnë në Poloni.

“Asnjë mur në historinë e botës nuk e ndali migrimin. Gjithashtu, do të ishte një fatkeqësi për natyrën në zonën e Białowieża-s”.

Zona e trashëgimisë botërore të pyjeve Białowieża, në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë, është një gamë e madhe pyjesh parësore, duke përfshirë halorë dhe pemë gjethegjerë.

Është shtëpia e popullsisë më të madhe të bizonëve evropianë.

Anna Alboth, nga grupi për të Drejtat e Minoritetit dhe anëtare e Grupa Granica, një rrjet polak i OJQ-ve që monitorojnë situatën në kufi, tha se “muret po ndajnë, nuk po mbrojnë”.

“Vendimi për ndërtimin e një muri të tillë në kufirin Polako-Bjellorusi është jo vetëm i paligjshëm, por sjell edhe rrezik të dëmtimit të pakthyeshëm për mjedisin, në një nga vendet më të pasura natyrore të Polonisë dhe të gjithë Evropës”.

Zëdhënësja e rojës kufitare, Anna Michalska, tha se “qëllimi është që dëmi të jetë sa më i vogël që të jetë e mundur”.

Ajo shtoi se “prerja e pemëve do të kufizohet në minimumin e kërkuar. Vetë muri do të ndërtohet përgjatë rrugës kufitare”.

“Kontraktorët do të përdorin vetëm rrugët ekzistuese”.

Vitin e kaluar, qeveria e djathtë e Varshavës katërfishoi praninë e rojeve kufitare dhe personelit ushtarak në zonë, duke krijuar një zonë të militarizuar prej dy miljesh dhe ndërtoi një gardh me tela.

Dhjetëra postblloqe janë vendosur përgjatë perimetrit të të ashtuquajturës zonë e kuqe, e cila është e paarritshme për punonjësit e ndihmës dhe gazetarët.

Javën e kaluar, Gjykata e Lartë e Polonisë dënoi qeverinë për pengimin e gazetarëve që të hynin në zonë.

Gjyqtarët në Varshavë thanë se ndalimi ishte i papajtueshëm me ligjin polak dhe se “nuk ka asnjë justifikim për të pranuar se ky grup i veçantë profesional përfaqëson një kërcënim për hapat e ndërmarrë”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore