Lajme

Kriza kufitare Poloni-Bjellorusi/ Zhvendosen emigrantët e bllokuar në kamp


Emigrantët nga Lindja e Mesme dhe gjetkë ulen pranë tubimit me tela me gjemba në kufirin Bjellorusi-Poloni pranë Grodno, Bjellorusi, 10 nëntor 2021

Autoritetet në Bjellorusi, të enjten e 18 nëntorit, kanë bërë me dije se është siguruar strehim i përkohshëm për rreth 1 mijë emigrantë që kishin ngritur kampe në kufirin e saj me Poloninë, në përpjekje për të hyrë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, autoritetet polake konfirmuan se kampi i madh i emigrantëve, në anën e kufirit të Bjellorusisë, po zbrazej ​​të mërkurën.

Për muaj të tërë, mijëra burra, gra dhe fëmijë janë grumbulluar në kufijtë perëndimorë të Bjellorusisë.

Bjellorusia është akuzuar se ka shtyrë emigrantët, kryesisht nga Lindja e Mesme, drejt kufirit për të destabilizuar BE-në.

Udhëheqësi autoritar për një kohë të gjatë i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka mohuar vazhdimisht joshjen e emigrantëve në kufi në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së.

Pamje e një kampi të vendosur nga migrantët nga Lindja e Mesme dhe gjetkë që mblidhen në kufirin Bjellorusi-Poloni pranë Grodno, Bjellorusi, 10 nëntor 2021.

Kriza kufitare arriti kulmin të martën, pasi forcat polake përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të zmbrapsur emigrantët që përpiqeshin të kalonin në vend.

Disa nga emigrantët u përpoqën të depërtonin në një vendkalim të fortifikuar dhe hodhën raketa në drejtim të forcave polake, duke lënë disa të plagosur.

Emigrantët kanë jetuar në kampe, në kushte ku temperatura ishte minus dhe me pak ushqim ose ujë brenda Bjellorusisë, të bllokuar mes rojeve polake në njërën anë dhe rojeve bjelloruse nga ana tjetër.

Por, pas më shumë se një javë ngërçi, Bjellorusia tha se kishte hapur një strehë të përkohshme për ta në një qendër transporti dhe logjistike pranë pikës së kontrollit të Kuznica-s, ku ditët e fundit, mijëra janë mbledhur, duke shpresuar për një rrugë për në Poloni dhe BE.

Policia polake dhe xhandarmëria e ushtrisë, duke kontrolluar dokumentet e shoferëve dhe automjetet e kthyera nga Chreptowce pranë Kuznica-s, vendkalimi kufitar me Bjellorusinë, 9 nëntor 2021.

Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve “Belta” tregoi fotografi të emigrantëve të shtrirë në dyshemenë e objektit me dyshekë, batanije dhe pako ushqimore.

Shumë në grup janë shtetas irakianë dhe, sipas agjencisë së lajmeve, shumë prej tyre ende synonin të hynin në BE.

Më herët, zëvendësministri i Brendshëm i Polonisë, Maciej Wasik, tha se Lukashenko, për herë të parë, kishte dërguar autobusë për t’i mbledhur emigrantët në kufi.

Pamjet video nga agjencia e rojeve kufitare të Polonisë duket se tregojnë emigrantët duke u larguar nga kampi të mërkurën.

Ndërkohë, Iraqi Airways konfirmoi se do të dërgonte një aeroplan në Bjellorusi të enjten për të marrë qytetarët e saj në shtëpi.

BE-ja u ka kërkuar vendeve të Lindjes së Mesme të ndalojnë fluturimet drejt Bjellorusisë dhe disa kanë rënë dakord.

Polonia, me mbështetjen e BE-së, është e vendosur të mos i lejojë emigrantët në bllok dhe ka paralajmëruar se kriza kufitare dhe humanitare mund të vazhdojë me muaj të tërë.

Emigrantët nga Lindja e Mesme dhe gjetkë në kufirin Bjellorusi-Poloni pranë Grodno, Bjellorusi.

Zyrtarët evropianë kanë akuzuar Lukashenko-n për orkestrimin e një skeme për të joshur emigrantët në kufi me premtimin e rremë për hyrje të lehtë në BE.

Duke i quajtur akuzat “absurde”, qeveria e Lukashenko-s ka kritikuar BE-në se nuk pranon emigrantët dhe i ka shtyrë ata në kufi.

Polonia është akuzuar për shtyrjen e njerëzve përtej kufirit në Bjellorusi, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të azilit.

Marrëdhëniet BE-Bjellorusi janë tensionuar rëndë që kur Lukashenko shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të diskredituara vitin e kaluar dhe u përpoq të shuante zërat kundërshtues.

Kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel, është përpjekur të qetësojë krizën kufitare, duke diskutuar këtë çështje me të disa herë këtë javë, duke theksuar nevojën për të lejuar Kombet e Bashkuara të ofrojnë ndihmë për emigrantët e bllokuar.

Aktivistët e lëvizjes së Rezistencës Kombëtare djegin granata tymi gjatë një mitingu proteste përpara Ambasadës Bjelloruse në Kiev, Ukrainë, 10 nëntor 2021. Protestuesit akuzuan presidentin autoritar bjellorus, Alexander Lukashenko, për një goditje brutale të brendshme ndaj disidencës dhe një krizë të emigrantëve të paligjshëm në kufirin Bjellorusi-Poloni.

Ai ka kërcënuar më parë se do të hakmerret ndaj një raundi të ri sanksionesh të BE-së, të cilat zyrtarët evropianë e miratuan në fillim të kësaj jave.

Të mërkurën, qeveria bjelloruse tha se do të ndalojë furnizimin me energji elektrike për Ukrainën – aleat i BE-së – brenda 24 orëve të ardhshme.

Në një deklaratë, qeveria bjelloruse përmendi “marrëdhëniet kontraktuale”, si arsye për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike.

Por nuk ishte menjëherë e qartë nëse kjo ishte pjesë e ndonjë akti hakmarrës nga Bjellorusia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore