Lajme

6 mijë ushtarakë pjesë e Rojes Kufitare në Poloni


Ministri polak i Mbrojtjes, Marius Blaszczak, ka deklaruar se 6 mijë trupa do të ruajnë zonën kufitare me Bjellorusinë ndërsa vendi po përjeton një rritje të migrimit.

Ushtarët do të ndihmojnë në forcimin e vëzhgimit kufitare të vendit.

“Pothuajse 6 mijë ushtarë nga divizionet 16, 18 dhe 12 po shërbejnë në kufirin Poloni-Bjellorusi”, tha Blaszczak në Twitter.

Polonia po përjeton një rritje të emigrantëve që kalojnë nga Bjellorusia.

Agjencia e saj e ruajtjes së kufirit tha se kishte pasur 612 përpjekje vetëm të hënën e 18 tetorit.

Që nga fillimi i muajit, ajo ka regjistruar 9 mijë e 600 përpjekje për kalime në territorin e saj.

Parlamenti polak më herët ka miratuar një ligj, sipas të cilit rojet kufitare lejohen t’i dëbojnë menjëherë emigrantët që kalojnë kufirin ilegalisht.

Ata do të kenë fuqi të refuzojnë kërkesat për azil ndërkombëtar, pa i shqyrtuar më parë.

Ky vendim ka nxitur edhe reagimin e grupeve të të drejtave të njeriut, të cilat akuzojnë Poloninë se dëshiron të legalizojë kthimin e emigrantëve.

Polonia dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë akuzuar presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko për dërgimin e një fluksi emigrantësh.

BE-ja thotë se ai po përpiqet të destabilizojë shtetet anëtare fqinje. Kjo si një formë hakmarrjeje kundër sanksioneve.

Sipas ligjit ndërkombëtar, kujtdo që kërkon mbrojtje ndërkombëtare, duhet t’i jepet qasje në procesin e azilit, edhe nëse e ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Edhe pse është e ndaluar të dërgohen njerëzit atje ku mirëqenia e tyre mund të jetë në rrezik, grupet e të drejtave kanë akuzuar Poloninë se i ka dëbuar emigrantët me muaj.

Të paktën gjashtë emigrantë janë gjetur të vdekur pranë kufirit me temperaturat që tani bien nën nivelin e ngrirjes gjatë natës.

Ndryshimi ligjor i miratuar rishtazi tani duhet të nënshkruhet në ligj nga Presidenti polak, Andrzej Duda, aleat i qeverisë.

Që nga gushti, ka pasur më shumë se 16 mijë përpjekje për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, krahasuar me vetëm 120 gjatë gjithë vitit të kaluar, tha agjencia kufitare e Polonisë.

Shtetet anëtare të BE-së, Lituania dhe Letonia, kanë parë gjithashtu rritje masive të emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Azisë, që përpiqen të hyjnë ilegalisht nga Bjellorusia që nga fillimi i verës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore