Shqipëria

Policia u bllokoi mjetet, operatorët në Lumin e Shalës ngrihen në protestë


Një aksion i gjerë i Policisë së Shtetit për të kontrolluar dhe sekuestruar mjetet lundruese që operojnë në Lumin e Shalës, por nuk përmbushin kushtet e sigurisë, ka bërë që operatorët dhe banorët e kësaj zone të ngrihen në protesta.

Aksioni policor ka përfshirë gjithë pjesën e liqenit të Komanit, përfshi edhe Lumin e Shalës, i cili vitet e fundit është kthyer në një tërheqje turistike të vërtetë si për vendasit, ashtu edhe për të huajt.

Që prej orëve të para të mëngjesit, banorët kanë bllokuar tunelin hyrës për në Koman, si shenjë proteste pas bllokimit të mjeteve të tyre lundruese.

Kësaj proteste u janë bashkuar po ashtu edhe turistë të rastit, të cilët janë gjetur, teksa pamje janë postuar drejtpërdrejtë edhe në media sociale si Tik Tok.

Kërkesa kryesore e tyre është që t’u jepet më shumë kohë me plotësimin e dokumentacionit, në mënyrë që t’i përdorin mjetet e tyre për transportin e turistëve.

Ky bllokim i varkave dhe anijeve të vogla, sipas tyre, i penalizon shumë, pasi është ndër të paktët burime ekonomike që banorët e zonës kanë.

Ka qenë kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, ai i cili ka qenë në takim me banorët fillimisht dhe ka kërkuar nga organet ligjzbatuese që të kryejnë kontrolle në zonë për rastet ku ka shkelje të ligjit.

Në një aksion me fillim të mërkurën, Policia e Shtetit ka bllokuar 38 mjete të vogla lundruese, pesë skafe dhe një traget, të cilët kishin mangësi në dokumentacionin përkatës për ushtrimin e aktivitetit.

Aksion i madh në liqenin e Komanit dhe lumin e Shalës, Policia konstaton 46 mjete të kundërligjshme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore