Lajme

Policia në Malawi zbulon një varr masiv të 25 emigrantëve etiopianë


Në Malawi, autoritetet kanë zbuluar një varr masiv në veri të vendit që ka eshtrat e 25 personave që dyshohet se janë emigrantë nga Etiopia.

“Varri u zbulua të martën, por ne e rrethuam atë dhe filluam zhvarrosjen sot. Deri më tani, ne kemi zbuluar 25 trupa”, ka thënë zëdhënësi Peter Kalaya i policisë.

Policia u njoftua nga fshataret në zonën Mzimba, rreth 155 milje në veri të kryeqytetit, Lilongwe, të cilët u përballën me këtë fakt teksa ishin në pyll.

“Dyshojmë se ata ishin emigrantë të paligjshëm që po dërgoheshin në Afrikën e Jugut nëpërmjet Malawi-t”, ka thënë zëdhënësi Kalaya.

Sipas tij, provat e mbledhura nga vendi kanë treguar se viktimat ishin burra etiopianë midis 25 dhe 40 vjeç.

Ai ka zbuluar se trupat e dekompozuar u zhvarrosën dhe u dërguan në një morg për autopsi dhe se mund të ishin varrosur “jo më shumë se një muaj” më parë.

Malawi është një rrugë popullore për njerëzit nga Afrika Lindore që kontrabandohen në Afrikën e Jugut, vendi më i industrializuar i kontinentit dhe një magnet për migrantët e varfër.

Sipas Kalaya-s, midis janarit dhe shtatorit të këtij viti, autoritetet kapën 221 emigrantë, 186 prej të cilëve ishin etiopianë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore