Lajme

Policia në aksion, bastis shtëpitë e gjashtë personave – katër prej tyre arrestohen


Policia e Kosovës.

Prokuroria Themelore e Ferizajt, ka bërë të ditur se janë kontrolluar dhe bastisur shtëpi, lokale përcjellëse të gjashtë personave.

Përmes një komunikate nga ana e Prokurorisë është thënë se pas përfundimit të aksionit nga Policia janë arrestuar katër persona nën dyshimin se kanë kryer tri vepra penale.

“Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion”.

“Me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë (6) personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar katër (4) të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C., për shkak të dyshimit të veprave penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386 paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të KPRK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së”.

Nga Prokuroria është thënë se do të informohen në vazhdimësi lidhur me këtë aksion.

Policia kishte realizuar disa aksione edhe gjatë muajit korrik njëri prej tyre ishte në Ndërmarrjet Publike Banesore.

Ky aksion ishte thënë se është zhvilluar pas një hetimi prej gati dy vjetësh për dyshime për keqpërdorime lidhur me një objekt afaristo-banesor në lagjen “Lakërishtë” në kryeqytet.

Aksioni ishte zhvilluar nga Drejtoria për Krimet Ekonomike në Policinë e Kosovës.

Edhe, më 20 korrik, Policia e Kosovës kishte realizuar një urdhër-kontroll në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Siç thuhej në një komunikatë të asaj kohe për media të NPB-së, bastisja u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën e 120 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore