Lajme

Policia: KFOR-i do të largojë kamionët e dëmtuar nga rrugët e veriut


Ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten njësitet e KFOR-it do të largojnë kamionët e dëmtuar, të cilët kanë qenë të vendosur në lokacionin e quajtur “Përroi i Zhazhës”.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

“Policia e Kosovës përmes këtij njoftimi zyrtar bën të ditur se sot njësitet e KFOR-it do të largojnë mjetet e rënda (kamionët) e dëmtuar, të cilët kanë qenë të vendosur në lokacionin e quajtur “Përroi i Zhazhës”.

Policia ka sqaruar se për shkaq të sigurisë për dy orë, do të mbyllet rruga në drejtimin Mitrovicë – Jarinje.

“Për shkaqe pune dhe sigurie, nga mëngjesi një korsi e rrugës mbyllet për qarkullim, përderisa në mesditë përreth dy orë do të mbyllet komplet rruga për qarkullim në drejtimin Mitrovicë – Jarinje, deri sa të largohen mjetet e rënda, për t’u mundësuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës.

Përgjatë kësaj kohe njësitet policore do të asistojnë KFOR-in, si dhe do të ri-orientojnë trafikun.

Pas 20 ditësh disa serbë të maskuar kishin filluar t’i largojnë barrikadat nga Veriu i Kosovës të cilat i kishin vendosur në shenjë pakënaqësie pasi policia e kishte arrestuar ish-policin Dejan Pantiç, i cili dyshohej për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Në tërësi, raportohej se ishin 16 barrikada në Veri të Kosovës, ku për mbi 20 ditë ato bllokuan akse nyje të lidhjes mes dy shteteve dhe nuk u mundësua asnjëherë heqja e tyre nga Qeveria e Kosovës apo me ndërhyrje të drejtpërdrejtë të ndërkombëtarëve, ku KFOR-i nuk mori masa, teksa EULEX-i deklaroi se nuk ka kapacitete të tilla.

Vendosja e barrikadave në Veri, kishte bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.

Forca patrulluese në Veri për 20 ditë kishte qenë KFOR-i, derisa policia e Kosovës nuk ka pasur mundësi të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.

Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në Veri për 14 ditë, derisa KFOR dhe EULEX ndihmuan zëvendësimin e tyre.

Gjatë raportimit nga vendi i ngjarjes brenda 17 ditëve, 13 punëtorë të medias ishin sulmuar në Veri, në mesin e tyre kanë qenë gazetarë/e, fotoreporterë, kameramanë, shoferë.

Ndryshe disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut, janë djegur më 29 dhjetor.

Lirimi i Dejan Pantiç dhe dërgimi i tij në arrest shtëpie si masë e zbutur nga ajo e paraburgimit, ishte edhe ngjarja, e cila e parapriu vendimin e Vuçiçit për të larguar barrikadat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore