Lajme

Policia iraniane qëllon mbi protestueset për vrasjen e Hadis Najafi-t


Në Iran, forcat e sigurisë kanë hapur zjarr ndaj turmave pranë Teheran-it, duke shënuar ditën e 40-të të zisë për vajzën e vrarë gjatë protestës.

Autoritetet bllokuan rrugët për të ndaluar njerëzit të arrijnë te varri i Hadis Najafi-t, i cili është bërë simbol i trazirave që ka përfshirë Iranin.

Ishin mijëra njerëz që ecnin përgjatë një autostrade për të arritur te varrezat në Karaj dhe duke brohoritur parulla anti-qeveritare.

Kurse personeli i sigurisë u përgjigj duke gjuajtur me armë zjarri.

Një dëshmitar ka treguar për median “BBC” se një plumb i shkrepur nga forcat e sigurisë kishte goditur dritaren e shtëpisë së fqinjit të tij.

“Njerëzit po brohorasin ‘vdekje diktatorit’ në rrugën kryesore. Ata kanë hedhur gaz lotsjellës. Ai është përhapur në lagje”, ka thënë një tjetër.

22-vjeçarja Hadis Najafi, regjistroi një video në telefonin e saj teksa po shkonte drejt një demonstrate në Karaj, në perëndim të Teheran-it, më 21 shtator.

“Shpresoj që pas disa vitesh kur të shikoj prapa, do të jem e lumtur që gjithçka ka ndryshuar për mirë”, ka thënë ajo në videon e postuar në TikTok.

Sipas familjarëve, ajo u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë pothuajse një orë më vonë. Zyrtarët dyshohet se i kërkuan babait të saj të thoshte se ajo vdiq nga një atak në zemër.

Javën e kaluar, motra e saj postoi një mesazh në Instagram duke ftuar “të gjithë miqtë që qëndruan dhe na mbështetën gjatë dy javëve të fundit” në një ceremoni mortore pas 40 ditëve në zi.

Më vonë asaj iu tha ta hiqte postin nga ministria iraniane e inteligjencës. Familja u paralajmërua gjithashtu që të mos zhvillojë asnjë ceremoni publike zie dhe të mos ftojë askënd.

Edhe pse rrugët për në varrezat e Behesht Sakineh ishin mbyllur nga forcat e sigurisë në pritje të protestave, njerëzit dolën.

Mijëra prej tyre ia dolën të kalonin nëpër postblloqe dhe të afroheshin në vend. Videot e postuara në mediat sociale treguan turma të mëdha që ecnin përgjatë autostradës dhe rrugëve të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore