Lajme

Policia gjeorgjiane përdor gaz lotsjellës në protestën kundër ligjit të ‘agjentëve të huaj’


Në Gjeorgji, policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra protestues në qendër të Tbilisi-t, pasi parlamenti dha mbështetjen fillestare për një projektligj për “agjentët e huaj”.

Për këtë të fundit, kritikët janë të mendimit se përfaqëson një ndryshim autoritar që rrezikon shpresat e vendit të Kaukazit Jugor për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ligji, i mbështetur nga partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane, do të kërkonte çdo organizatë që merr më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të huaj”, ose të përballet me gjoba të konsiderueshme.

Sipas kritikëve, ai kujton një ligj të vitit 2012 në Rusi që atëherë është përdorur për të goditur disidencën.

Ndaj protestuesit janë parë duke protestuar me zemërim me policinë e armatosur me mburoja, të cilët më pas përdorën gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

“Kam ardhur këtu sepse e di që vendi im i përket Evropës, por qeveria ime nuk e kupton”, ka thënë një protestues 30-vjeçar Demetre Shanshiashvili.

“Ne jemi këtu për të mbrojtur vendin tonë sepse nuk duam të jemi përsëri pjesë e Rusisë”, ka vijuar ai, duke iu referuar gati dy shekujve që Gjeorgjia kaloi si pjesë e Perandorisë Ruse dhe Bashkimit Sovjetik.

Disa nga protestuesit e mbledhur jashtë ndërtesës së parlamentit mbanin flamuj të Gjeorgjisë, të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve.

Ata bërtisnin “jo ligjit rus” dhe “ju jeni rusë” ndaj politikanëve brenda legjislaturës.

Rusia shihet si një armik nga shumë gjeorgjianë, pasi Moska mbështeti separatistët në rajonet e shkëputura gjeorgjiane në vitet 1990.

Qindra mijëra gjeorgjianë mbeten të zhvendosur brenda vendit pas disa periudhave të konfliktit të përgjakshëm etnik.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore