Lajme

Policia e prangos një serb, po kërkohej nga Interpoli


Ilustrim

Policia e Kosovës, përmes njësisë FAST ka arrestuar një serb të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.

“Personi i dyshuar J.P., kishte rezultuar i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ku më pas do të vazhdohet me procedurat e parapara për rastet e tilla.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive të kundërligjshme në vend, përfshirë edhe forcimin e bashkëpunimit policor në rrafshin ndërkombëtar”.

Ndryshe, Kosova nuk kishte arritur të bëhet vend anëtare e INTERPOL-it, gjatë vitit 2018, pasi që nuk kishte mundur ta sigurojë shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme.

Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, e kishin mbështetur 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 kishin abstenuar.

Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova kishte marrë votën e 68 shteteve, 51 ishin kundër ndërsa 16 kishin abstenuar.

Ndërkohë Kosova kishte dështuar për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, në po të njëjtën ditë Asambleja e Përgjithshme kishte votuar për anëtarësimin e dy vendeve të reja, Kiribati dhe Vanuatu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore