Kosova

Policia arreston tre persona në Prishtinë, Prizren dhe Pejë gjatë hetimeve për krime ekonomike


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar dy operacione të ndara në tri komuna: Prishtinë, Prizren dhe Pejë nga i cili janë arrestuar tre persona.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar dy operacione të ndara, në tri rajone si në Prishtinë, Prizren dhe Pejë”.

“Operacionet policore deri më tani kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të dyshuar”, ka thënë Kelani për AP.

Ai tutje ka thënë se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Tutje përmes një komunikate për media nga Policia e Kosovës është thënë se rasti i parë ka qenë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë.

“Në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, pas një pune intensive operative dhe hetimore që ka zgjatur rreth një vit, hetuesit policorë kanë siguruar dëshmi se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprat penale  ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe  ‘marrja e ryshfetit”, thuhet në komunikatë.

“Sot, më 30.06.2023, është zbatuar urdhri i lëshuar nga Gjykata Themelore Pejë, ku është kontrolluar prona e të dyshuarit Sh.G., (mbikëqyrës në Qendrën Korrektuese Dubravë). Ai dyshohet se në katër raste ka marrë ryshfet (1880 euro), në këmbim të ofrimit të disa favoreve ndaj të burgosurve”.

Teksa është sqaruar se pas përfundimit të kontrollit i dyshuari është shoqëruar për intervistimi në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orë.

Ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me sektorin e hetimeve financiare

“Më 30.06.2023 ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kontroll në dy lokacione të ndara,  njëra në Prishtinë dhe tjetra në Prizren. Urdhër-kontrolli është zhvilluar me qëllim të sigurimit të dëshmive shtesë dhe arrestimin e dy të dyshuarve në lidhje me veprën penale ‘kurdisje e ndeshjes ose sportit”.

“I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli)”.

Në komunikatë sqarohet se të dyshuarit kanë kryer këto veprime me qëllim të përfitimit material.

“Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me refer dhe trajner ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave basketbollistike, me qëllim të fitimit të basteve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit”.

Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Edhe më 12 maj, Policia e Kosovës, kishte realizuar një operacion në disa rajone të ndryshme të Kosovës me qëllim të hetimit dhe parandalimit të veprimtarive kriminale.

Po ashtu më 12 shkurt, policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në vazhdën e luftës për parandalimin dhe luftimin e rasteve të abuzimit me substanca narkotike, kishte realizuar një operacion policor anti-drogë në rajonin e Mitrovicës së Veriut.

Këtë e kishte bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media të dielën, ku ndër të tjera thuhej se aksioni policor është duke u zhvilluar pas hetimeve intensive dhe po realizohet me mbështetjen e njësive tjera relevante policore.

Policia e Kosovës edhe gjatë vitit të kaluar ka kryer disa aksione anti-drogë, të cilat kanë rezultuar me konfiskim të një sasie të madhe të lëndëve narkotike dhe pati arritur të shkatërrojë edhe një laborator të drogës në Komunën e Zveçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore