Kosova

Policia e Kosovës me operacion anti-drogë në veri


Policia e Kosoves

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në vazhdën e luftës për parandalimin dhe luftimin e rasteve të abuzimit me substanca narkotike, është duke realizuar një operacion policor anti-drogë në rajonin e Mitrovicës së Veriut.

Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media të dielen, ku ndër të tjera thuhet se aksioni policor është duke u zhvilluar pas hetimeve intensive dhe po realizohet me mbështetjen e njësive tjera relevante policore.

Policia e Kosovës kujtoi se edhe gjatë vitit të kaluar ka kryer disa aksione anti-drogë, të cilat kanë rezultuar me konfiskim të një sasie të madhe të lëndëve narkotike dhe pati arritur të shkatërrojë edhe një laborator të drogës në Komunën e Zveçanit.

“Policia e Kosovës në fushën e parandalimit, hetimit dhe zbulimit të trafikimit me narkotikë edhe gjatë vitit të kaluar ka ndërmarr disa operacione të suksesshme policore ku janë konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave të dyshuara narkotike, janë zbuluar laboratorë droge, janë arrestuar numër i madh i personave të dyshuar, si dhe janë shpartalluar grupe të ndryshme kriminale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore