Shqipëria

Po vonohet miratimi i ligjit për “Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”, thotë Xhixho


Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, ka deklaruar nga punimet e Komisionit të Ligjeve se miratimi i ligjit për “Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale” është i vonuar.

Regjistri ka qenë pjesë e diskutimeve të 12 prillit në Komisionin e Ligjeve.

“Sot në Komisionin e Ligjeve dhe Drejtave të Njeriut diskutuam nismën ligjore të “Regjistrit Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale” si një projektligj i domosdoshëm dhe i vonuar, ndaj duhet sa më parë, të bëjmë të mundur miratimin e tij dhe vënien në zbatim për të parandaluar krime seksuale të përsëritura”, shkruan fillimisht propozuesja e këtij projektligji.

Xhixho mori shembullin e ngacmimit seksual në qytetin e Lushnjës pak ditë më parë, për të nxjerrë në pah rëndësinë e këtij ligji.

“Rasti më i fundit i një drejtori shkolle në qytetin e Lushnjës, i cili gjen guximin të ngacmojë seksualisht një vajzë te mitur 15 vjeç, është gjithashtu dëshmi se në çfarë gjendjeje të mjeruar janë mekanizmat parandalues dhe ndëshkues të shtetit”, shton ajo.

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho

Sipas deputetes shqiptare, puna nuk mbaron me miratimin e ligjit.

Xhixho thekson se pas miratimit, do të fillojë monitorimi i zbatimit të tij dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar.

Kjo, në mënyrë që ligji të jetë eficient dhe mban nën vëzhgim këta grabitqarë seksualë, të cilët kërcënojnë fëmijët tanë, shkruan në vijim deputetja e LSI-së.

“Miratimi i tij është një detyrim i menjëhershëm i secilit prej nesh! Sot duhet të veprojmë”, përmbyll reagimin e saj Xhixho.

Projektligjet

Të martën e 14 dhjetorit, Komisioni për Sigurinë Kombëtare (KSK) miratoi në parim dy projektligje.

Këto të fundit, i referoheshin krijimit të një regjistri kombëtar – të të dënuarve për krime seksuale dhe autorëve të veprave penale me natyrë seksuale.

Në drejtimin e nënkryetarit Xhemal Qefalija, komisioni mori fillimisht në shqyrtim projektligjin “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”.

Më pas u shqyrtua dhe projektligji “Për krijimin e regjistrit kombëtar të autorëve të veprave penale me natyrë seksuale”.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët, komisioni miratoi në parim të dyja projektligjet.

Xhixho ishte asokohe pjesë e punimeve në cilësinë e propozueses.

Deputetja sqaroi gjatë fjalës së saj se projektligji është përgatitur në bashkëpunim me një ndër organizatat kryesore të shoqërisë civile “CRCA”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore