Lajme

Platforma e re që sollën këshilltarët e Macron e Scholz – për të cilën qeveria e Kosovës s’po flet


Foto nga Albanian Post

Si rëndom, qeveria e Kosovës nuk ka zbuluar pothuajse asgjë nga takimi që kryeministri, Albin Kurti, pati me dy këshilltarët e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, por ishte presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili njoftoi se ka propozim “për një platformë të re dialogu”.

Njëjtë si Kurti, Vuçiç u takua me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, por ndryshe nga Kurti, Vuçiç mbajti konferencë për media të nesërmen.

Vuçiç në konferencë tha se treshja diplomatike “kanë propozuar në kornizë krejtësisht të re për dialogun që do të çonte në një marrëveshje përfundimtare të përshpejtuar”.

“Fuqitë e mëdha perëndimore, plus Turqia, duan ta zgjidhin këtë problem, Evropa është në luftë dhe ajo duhet të mbrohet dhe në përputhje me atë marrëveshje të mundshme [Kosovë-Serbi], ata do të japin një përgjigje të qartë Putinit për precedentin e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia në këtë rast është bërë edhe një herë dëm kolateral i konfliktit mes fuqive të mëdha.

“Mbrëmë pata një bisedë dyorëshe me përfaqësuesit e Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron. Biseda nuk ishte aspak e lehtë”, ka shtuar ai.

Takimi ne Bruksel

Ajo çarë besohet të jetë ky propozim i ri është modeli i shumëpërfolur i dy Gjermanive.

Faktikisht ky është një tekst/marrëveshje kornizë, i punuar qysh në vitin 2012 të cilin Albanian Post e posedon dhe përbëhet prej 12 pikave.

Ky model nënkupton se Kosova dhe Serbia nuk do të njohin pavarësinë e njëra-tjetrës, por të dyja palët, sipas marrëveshjes, marrin përsipër themelimin e zyrave ndërlidhëse në selinë e qeverisë/zyrave ndërlidhëse në territorin përkatës.

Në këtë marrëveshje thuhet se asnjëra palë nuk duhet të cënojë integritetin territorial dhe njëkohësisht, marrëdhëniet mes tyre duhet të jenë të bazuara në fqinjësi të mirë, gjithnjë përmes zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura nga ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian.

Aty parashihet që mosmarrëveshjet eventuale të zgjidhen me mjete paqësore, siç parashihet edhe me Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu, aty thuhet se, Kosova dhe Serbia duhet të punojnë së bashku në zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe kthimin e personave të zhvendosur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas këtij modeli, parashihet edhe demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pra për vendosjen e pikave të reja kufitare.

Respektimi dhe garantimi i të drejtave të minoriteteve në të dyja vendet mbetet kusht i arritjes së një marrëveshje të qëndrueshme. Arsimi, kultura, feja, besimet fetare dhe gjuha e bashkësive  minoritare do të gëzojnë trajtim të veçantë.

Tutje, siç bënë të ditur teksti i marrëveshjes, Kosova dhe Serbia duhet të mbështesin aspiratat e njëra tjetrës drejt BE-së dhe të harmonizojnë politikat e tyre me standardet e BE-së.

Disa pika të kësaj marrëveshjeje janë parashikuar edhe në Marrëveshjen e Brukselit. Sipas disa informacioneve, aktualisht është duke u punuar për tekstin e zgjidhjes përfundimtare për problemin e Kosovës dhe e cila do të bazohet në këtë model.

Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer”, i cili është i afërt me CDU-në dikur në pushtet, të kryesuar nga ish-kancelarja Angela Merkel, qëndronte pas këtij teksti dhe ishte shkruar prej ekspertëve nga Kosova dhe atyre nga Serbia.

S’ka modele paraprake që i përshtaten zgjidhjes finale mes Kosovës e Serbisë – Intervistë me profesorin e diplomacisë dhe ish zv.Ministrin e Jashtëm

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore