Lajme

Osmani i quan “deklarata post-traumatike” ato të Vuçiç-it në OKB: E vërteta e Kosovës s’mund të mohohet nga askush


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ritheksuar se fjalimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), është realiteti që ka ndodhur dhe se ky fakt s’mund të mohohet nga Serbia.

Osmani, në një deklaratë para gazetarëve teksa po merrte pjesë në ceremoninë zyrtare të dorëzimit të pajisjes moderne SPECT/CT/PET në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i ka quajtur “postraumatike”, deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Ai ka bërë një serë deklaratash postraumatike. Ajo çfarë kemi bërë ne është se e kemi thënë të vërtetën para syve të botës e cila s’mund të mohohet nga askush e as nga Serbia”.

Ndër të tjera, e para e shtetit ka shtuar se “të gjitha gjerët që kam thënë në seancë janë të konfirmuara nga raportet ndërkombëtare dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare”.

Në seancën e OKB-së më 22 prill, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një pjesë të fjalimit të saj ua ka dedikuar grave që janë të mbijetuara nga masakrat e kryera nga forcat jugosllave në Kosovë.

Të pranishme në këtë seancë me Osmanin kanë qenë, Elhame Muçolli, një grua që ka familjarë të zhdukur në luftë, Fahrije Hoti, si dhe dy gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, dhe Shyhrete Tahiri.

Ajo e ka përsëritur nevojën për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Në anën tjetër, Vuçiç është ankuar pse ato gra kanë marrë pjesë në takim, duke thënë se ato nuk janë pjesë e stafit diplomatik, dhe pse është diskutuar për të kaluarën, sidomos për kohën e luftës, duke pretenduar se në kohën e luftës ka pasur edhe gra serbe të dhunuara seksualisht në Kosovë.

Osmani, në anën tjetër, ka thënë se gratë pjesëmarrëse janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore