Lajme

S’ka modele paraprake që i përshtaten zgjidhjes finale mes Kosovës e Serbisë – Intervistë me profesorin e diplomacisë dhe ish zv.Ministrin e Jashtëm


Foto nga Albanian Post: Valon Murtezaj dhe ne sfond Albin Kurti e Aleksander Vucic

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tash e një kohë po thonë se ka shumë modele evropiane të suksesshme që do të mund të përdoreshin si ekzemplar për zgjidhjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, por për profesorin e diplomacisë dhe ish-zëvendës-ministrin e jashtëm të Kosovës, Valon Murtezaj, s’ka asnjë model të mëhershëm që shërben si variant për t’u mbështetur në gjetjen e kësaj zgjidhje.

Sepse, “situata dhe rrethanat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të tjera”, thotë Murtezaj në një intervistë për Albanian Post.

Prandaj, shton profesori i negociatave ndërkombëtare dhe diplomacisë në Universitetin francez “IÉSEG”, “asnjë model nuk përshtatet plotësisht”.

Madje, as ky i propozuari i fundit, “i dy Gjermanive”.

Model ky që, siç e ka publikuar Albanian Post të plotë, nuk parasheh njohjen reciproke, dhe për Murtezajn pikërisht këtu qëndron problemi.

“Çfarëdo marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke, nuk mund të quhet përfundimtare, dhe nuk i normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Një fakt tjetër tejet i rëndësishëm për ish-diplomatin e Kosovë është edhe fakti se Serbia ka bërë gjenocid dhe krime në Kosovë”, çka pamundëson përdorim të modeleve të tjera paraprake, ku e kaluara s’ka qenë e tillë.

“Ky është dallimi esencial që asnjëherë nuk duhet harruar”, deklaron ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Alexander Vuçiç, në dialogun Prishtinë-Beograd, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian

Sa për Politikën e Jashtme aktuale të Kosovës në përgjithësi, Murtezaj – i dekoruar nga presidenti francez me Urdhrin Kombëtar të Meritave – s’ka fjalë të mira.

“Diplomacia e Kosovës nuk ka treguar vizion dhe strategji në shumë dimensione të politikës së jashtme”, deklaron ai. Kjo më së miri mund të vërehet në faktin që tashmë kanë kaluar dy vjet prejse nuk është siguruar asnjë njohje e re.

“Përveç mungesës së angazhimeve adekuate në planin ndërkombëtar ka probleme të shfaqura në menaxhimin e brendshëm të ministrisë poashtu”.

Murtezaj ka folur edhe për vizitën e kësaj të premteje, kur bashkë me Miroslav Lajçakun e Bashkimit Evropian, Kosovën do ta vizitojnë edhe dy këshilltarët personal të Emmanuel Macron e Olaf Scholz.

“Këshilltarët Bonne dhe Plotner janë diplomatë me eksperiencë, dhe kanë besimin personal të liderëve të tyre. Kjo është një shtytje tjetër që Franca dhe Gjermania duan t’i japin procesit të dialogut, dhe përshfaq vëmendjen serioze që këto dy vende ofrojnë”.

Intervista e plotë e Valon Murtezaj për Albanian Post:

Albanina Post: Presidenti i Francës Emanues Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz u kanë dërguar letra Albin Kurtit dhe Aleksandër Vucic-it, ku u kërkohen kompromise dhe vendime të vështira, çfarë mund të jenë këto vendime të vështira? 

Valon Murtezaj: Është krijuar një moment i ri rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë e dëshmon edhe interesimi personal i dy personaliteteve kryesore të Bashkimit Evropian, pra i Presidentit francez Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. Letra e dërguar mund të kuptohet, në njërën anë si shprehje e vëmendjes në nivelin më të lartë të Francës dhe Gjermanisë për dialogun, dhe poashtu në anën tjetër që palët duhet të jenë të përgatitura për të ofruar opsionet dhe propozimet më të mira për të arritur marrëveshje. Në praktikën e negociatave diplomatike për çfaredo vendimi që palët marrin, nënkuptohet që vendimet kanë vështirësitë gjatë procesit për t’u zhvendosur nga propozimet fillestare.

Albanian Post: Po ashtu këshilltarët e tyre Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, pritet ta vizitojnë Kosovën, si po e shihni këtë mobilizim të Gjermanisë dhe Francës, a mendoni që zgjidhja finale është afër?

Valon Murtezaj: Këshilltarët Bonne dhe Plotner janë diplomatë me eksperiencë, dhe kanë besimin personal të liderëve të tyre. Kjo është një shtytje tjetër që Franca dhe Gjermania duan t’i japin procesit të dialogut, dhe përshfaq vëmendjen serioze që këto dy vende ofrojnë. Kjo nuk do të thotë që zgjidhja është afër, sepse janë shumë rrethana të tjera që përcaktojnë përfundimin e një procesi negociator, por gjithsesi është ndihmesë e madhe në gjithë procesin e dialogut.

Albanian Post: Kryeministri Kurti së fundi ka arritur një marrëveshje për dokumentet me palën serbe, por jo edhe për targat, si e keni parë në përgjithësi procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Valon Murtezaj: Procesi i dialogut në vitet e fundit nuk ka qenë dinamik. Marrëveshja për dokumentet, e arritur së fundmi, sado që vetëm verbale, dhe publiku i gjerë nuk kemi parë detaje të tjera, është një arritje e vogël përpara. Marrëveshja për targat nuk është arritur. Pra e gjithë kjo është një hap për të ulur tensionet e krijuara, por gjithsesi nuk është marrëveshje përfundimtare. Natyrisht, pengesa kryesore këtu është qeveria e Serbisë e cila ende nuk është në gjendje ta pranojnë realitetin se Kosova është shtet i pavarur.

Albanian Post: Si e vlerësoni në përgjithësi qasjen e qeverisë aktuale në dialog?

Valon Murtezaj: Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta marr me seriozitet procesin e dialogut. Duhet të jetë shumë e përgatitur, për të ofruar opsionet e saj për të gjetur zgjidhje për çështje në tavolinën e dialogut. Është shumë e rëndësishme që Kosova të dal serioze në Bruksel, të tregojë se ka vullnetin dhe energjinë e duhur për këtë proces. Qeveria nuk ka qenë transparente dhe poashtu është vërejtur mungesë e kapaciteteve negocimi, si në çështje teknike dhe në aspekte politike gjithashtu. Dialogu duhet të shërbejë që në fund marrëveshja të ketë njohjen e Kosovës shtet të pavarur.

Albanian Post: Iniciativa “Ballkani i Hapur” po mbështet nga gjitha shtetet e Rajonit, pos Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, çka mendoni ju për këtë iniciativë a do të duhej edhe Kosova të bëhet pjesë e saj?

Valon Murtezaj: “Ballkani i Hapur”, siç është zhvilluar deri tani, është një iniciativë e fragmentuar. Anëtarësimi apo pjesëmarrja në çfarëdo organizimi rajonal apo ndërkombëtar për Kosovën duhet të udhëhiqet nga interesat nacionale. Pengesa kryesore në këtë iniciativë është sjellja destruktive e qeverisë së Serbisë, e cila nuk është e gatshme të ulet e barabartë me Kosovën në forume të ndryshme. Sot për sot, kjo iniciativë nuk i ka ofruar Kosovës barazinë, prandaj për Kosovën është e veshtirë të bëhet pjesë e kësaj iniciative përderisa rrethana më të favorshme krijohen. Poashtu është me rëndësi që mos të kemi duplifikime të organizimeve rajonale, për shembull procesi i Berlinit ofron gjithë infrastrukturën e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, prandaj këtu do të duhej të zhvillohej bashkëpunimi rajonal në frymë evropiane.

Albanian Post: Kosova që një kohë të gjatë nuk ka siguruar një njohje të re, derisa Serbia pretendon se i ka në sirtarë pesë çnjohje, ku po çalon diplomacia kosovare sipas jush?

Valon Murtezaj: Diplomacia e Kosovës nuk ka treguar vizion dhe strategji në shumë dimensione të politikës së jashtme. Kur flasim për njohjet e reja, për Kosovën është me rëndësi të angazhohet në secilin vend për të avancuar rrethanat specifike që mund të jenë në secilin vend, apo rajon. Është shumë me rëndësi intensifikimi i prezencës në shumë rajone të botes. Poashtu pesë vendet e BE, duhet të jenë prioritet. Nuk kemi parë angazhime të duhura në të gjitha këto fusha. Përveç mungesës së angazhimeve adekuate në planin ndërkombëtar ka probleme të shfaqura në menaxhimin e brendshëm të ministrisë poashtu. Kjo pastaj e vështirëson mbarëvajtjen e aktiviteteve për fuqizimin e pozitës së Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Albanian Post: Kohëve të fundit, mes shumë modelesh dhe shembujsh për zgjidhjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, po përmendet edhe “Modeli i dy Gjermanive. Çfarë mendoni për këtë propozim?

Valon Murtezaj: Situata dhe rrethanat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të tjera. Asnjë model nuk përshtatet plotësisht, dhe as modeli i dy Gjermanive. Sidomos kur është fjala për esencën e një marrëveshjeje përfundimtare, njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve. Çfarëdo marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke, nuk mund të quhet përfundimtare, dhe nuk i normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Poashtu duhet theksuar që Serbia ka bërë gjenocid dhe krime në Kosovë, ky është dallimi esencial që asnjëherë nuk duhet harruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore