Lajme

“Përshpejtimi i Marrëveshjes përfundimtare” – Vuçiç: Këshilltarët e Macron dhe Scholz propozuan një kornizë krejtësisht të re për dialogun


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, kanë propozuar në kornizë krejtësisht të re për dialogun që do të çonte në një marrëveshje përfundimtare të përshpejtuar.

Vuçiç këtë deklaratë e dha, në një konferencë për media, pas përfundimit të Këshillit për Siguri Kombëtare që është mbajtur sot në Pallatin e Serbisë.

“Fuqitë e mëdha perëndimore, plus Turqia, duan ta zgjidhin këtë problem, Evropa është në luftë dhe ajo duhet të mbrohet dhe në përputhje me atë marrëveshje të mundshme [Kosovë-Serbi], ata do të japin një përgjigje të qartë Putinit për precedentin e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia në këtë rast është bërë edhe një herë dëm kolateral i konfliktit mes fuqive të mëdha.

“Mbrëmë pata një bisedë dy orëshe me përfaqësuesit e Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron. Biseda nuk ishte aspak e lehtë”, ka shtuar ai.

Sipas Vuçiç, fillimi i patrullimit të Liqenit të Ujmanit dhe ndërtimi i stacioneve të reja të Policisë së Kosovës në Veriun e Kosovës, përveç që janë presion ndaj popullatës serbe atje, shpërfaqin, siç pretendon ai, “banditizmin dhe egërsinë” e udhëheqësve kosovarë.

“Ata nuk i informojnë serbët për këto veprime dhe as nuk konsultohen me ta. Krahas gjithë kësaj, ata tregojnë se si e kontrollojnë Liqenin e Ujmanit, pjesa më e madhe e të cilit gjendet në komunën e Zubin Potokut. Nuk kanë gjë që nuk e kanë shkelur dhe këtë e dinë përfaqësuesit ndërkombëtarë”, ka pretenduar ai.

Vuçiç më tej në fjalimin e tij, siç rëndom bën, ka përdorur terme si “persekutim” e “pogrom” të popullatës serbe, për të treguar, kinse keqtrajtimin që po i bëhet serbëve në Kosovë.

“Ne do të ofrojmë çdo lloj mbështetje dhe nuk do të lejojmë persekutimin dhe pogromin e popullatës serbe. Nuk e kuptoj pse i shqetëson disa njerëz kur e them këtë”.

Vuçiç më tej ka folur edhe për çështjen e konvertimit të targave ilegale në ato RKS, dhe sipas informacioneve që posedon ai deri më 10 shtator vetëm dy persona janë pajtuar t’i regjistrojnë makinat e tyre me targat RKS.

Sipas tij një gjë e tillë është një fitore për Serbinë.

“Nuk kanë përkrahje nga populli, nuk mund të gjejnë serbë për t’ia ndërruar targat”, ka thënë Vuçiç.

Ndryshe një ditë më parë Vuçiç, ka bërë të ditur në Instagram-in e tij pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e presidentit francez Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, se qëndrimi i tij është i prere në mos njohje të Kosovës dhe se “nuk ka dorëzim”.

Pas takimit që këshilltarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, bashkë me Lajçak-un patën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ata udhëtuan drejt Beogradit.

Konferencë për media nuk ka pasur, por Vuçiç ka shkruar në profilin e tij në Instagram, se temë e takimit ishte “Kosova”.

“Folëm për të ardhmen e Serbisë dhe nuk do të ketë njohje të Kosovës”, ka shkruar Vuçiç, raportojnë mediat serbe.

“Jemi gjithmonë të gatshëm për zgjidhje kompromisi, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nuk ka dorëzim! Rroftë Serbia!”, përfundon postimi i Vuçiç.

Në anën tjetër, Kurti nuk ka dalur me një koment pas takimit, përveç se Qeveria e Kosovës lëshoi një komunikatë ku thuhej se “u theksua që Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë”, shkruhet në komunikatë.

Gjithashtu, bëhej e ditur se “Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”.

Para mediave, por fare shkurtimisht, ka folur Lajçak. Ai deklaroi se “bisedimet ishin të thella”, por “detaje s’mund të jap”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore