Lajme

Plani i Kosovës për imunizmin e qytetarëve kundër COVID-19, kush vaksinohet në fazën e parë?


Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, vaksinimin e qytetarëve të Kosovës kundër COVID-19, e ka paraparë të ndarë në tri faza.

MSH-ja ka aprovuar në shkurt planin e ri shtetëror për vaksinim kundër Coronavirusit në Kosovë, ku sipas këtij plani në fazën e parë pritet që të vaksinohet tre për qind e popullatës për të vazhduar me fazën e dytë për 17 për qind kurse në të tretën 50 për qind.

Kush do të vaksinohet në fazën e parë, dytë dhe të tretë?

Katër nëngrupet që janë identifikuar për vaksinim gjatë fazës së parë të vaksinimit kundër COVID-19 janë “punëtorët shëndetësorë, banorët në shtëpitë e pleqve dhe punëtorët social, personat e moshës mbi 80 vjeç dhe personat me sëmundje kronike”.

Në planin e MSH-së thuhet se “numri i përgjithshëm i grupit të synuar në fazën e parë është 54 mijë ose tre për qind e popullsisë së përgjithshme të vendit”.

Katër grupet e identifikuara si grup me prioritet për fazën e dytë të vaksinimit janë personat e grup moshës 65 deri në 79 vjeç, personat e mbetur me sëmundje kronike, mësuesit dhe forcat e sigurisë të përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e COVID-19.

Gjatë fazës së tretë të vaksinimit, sipas renditjes në bazë të prioritetit janë grup mosha 40 deri në 64 vjeç, popullsia e mbetur me kushte të theksuara shëndetësore, punëtorët e sektorit publik dhe popullsia e mbetur.

Sipas këtij dokumenti, gjatë fazës së parë dhe të dytë do të përdoren vaksinat që do të vijnë nga skema COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e në fazën e tretë planifikohen ato të kompanisë “Pfizer”.

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se të dielën, në ora 20:15 kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të marrin pjesë në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19.

Ky kontingjent është mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijet (UNICEF). , nëpërmjet programit COVAX.

Janë gjithsejtë 24 mijë doza të vaksinave kundër Coronavirusit që do të arrijnë në Kosovë, në kontingjentin e parë. Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti.

“Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15”, njoftoi zyra e kryeministrit, përmes një komunikate për medie.

Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër Coronavirusit.

Në mungesë të vaksinës, Shqipëria deri më tani ka vaksinuar rreth 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës me vaksinën e AstraZenecas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore