Lajme

Sot arrijnë dozat e para të vaksinave në Kosovë


Të dielën, më 28 mars, pritet të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave në Kosovë.

Bëhet fjalë për vaksinat AstraZeneca, që do të vijnë nëpërmjet programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijet (UNICEF).

“Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15”, njoftoi zyra e kryeministrit, përmes një komunikate për medie.

Janë gjithsejtë 24 mijë doza të vaksinave kundër Coronavirusit që do të arrijnë në Kosovë, në kontigjentin e parë. Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti.

Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, është zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Arritjen e kontingjentit të parë të vaksinave e ka konfirmuar edhe drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Hans Kluge.

Ai përmes një shkrimi në Twitter, të shtunën, ka treguar se është bërë dërgesa e vaksinave në Bosnjë e Hercegovinë dhe kur pyetet se kur do të arrijnë vaksinat në Kosovë, ai ka dhënë një përgjigje të shkurtër “Nesër”.

Ndërkohë, ditë më parë, kur “COVAX” është pyetur nga Albanian Post, se kur do të arrijnë dozat e para të vaksinave në Kosovë, përfaqësuesja për media nga kompania COVAX, Laura Shevlin, pati thënë se  “raundi i parë i alokimeve u është komunikuar qeverive përkatëse të cilët po punojnë ngushtë me partnerët e COVAX dhe prodhuesit e vaksinave në datat specifike të dërgesave.

Ajo ka theksuar se secili shtet që i ka kryer përgatitjet dhe janë të gatshëm, COVAX lëshon blerjet për prodhuesit dhe jep doza përmes një procesi përsëritës.

“Ne jemi në kontakt të ngushtë me secilën prej ekonomive pjesëmarrëse të COVAX në lidhje me shpërndarjen e vaksinave COVID-19. Ndërsa secila ekonomi përfundon përgatitjet e gatishmërisë, COVAX lëshon urdhra blerje për prodhuesit dhe jep doza përmes një procesi përsëritës”, ka thënë ajo.

Kosova, si një nga vendet e përfshira në program, besohet se do të mund të përfitojë nga COVAX, 100 mijë e 800 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Në raportin e publikuar më tre shkurt, është thënë se Kosova do të furnizohet me vaksina të kompanisë AstraZeneca.

Deri më tani, sipas Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë janë regjistruar 87 mijë e 67 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1 mijë e 830 kanë humbur betejën me virusin.

Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër Coronavirusit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore