Shqipëria

Planet e Metës post-Presidencë: Do të jem në një politikë super-aktive jo aktive


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në një intervistë për mediat shqiptare deklaroi me bindje se mezi po pret që të largohet nga posti aktual për t’iu kthyer politikës aktive.

“Do të jem në një politikë super-aktive jo aktive”, tha Meta.

Nëse do të ketë bashkëpunim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidenti ishte i prerë se nuk do të ketë “në asnjë rrethanë”.

“Ai ka cënuar integritetin e Shqipërisë dhe Ilir Meta nuk bën aleancë me këta njerëz. Pesë vitet e ardhshme, Ilir Meta e ka punën me popullin. Kushtetutën nuk e prek më njeri në Shqipëri”, shtoi kreu i shtetit.

SHBA

Më tej, presidenti u ndal te raporti me Shtetet e Bashkuara duke nënvizuar se “nuk i është dashur që të paguajë drejtësinë në Amerikë për të mbyllur çështje”.

Meta garantoi gjatë fjalës së tij se nuk ka asnjë problem me SHBA-të.

Ndërkaq, nuk mungoi as retorika ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha duke nënvizuar se “nuk ka paguar në të zezë për t’u fotografuar me politikan të ndryshëm në Amerikë”.

Për raportet me Shqipërinë dhe diplomacinë amerikane, Meta u shpreh se ka “një raport të parë dhe të shenjtë me Shqipërinë dhe nuk bën asnjë akt që lëndon Shqipërinë”.

Zgjedhjet e pjesshme

Sipas numrit një të Presidencës, nëse do të vendoste për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme lokale “do të anonte” për datën 6 mars.

Më herët, edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se 6 marsi është data më e volitshme.

Për takimin me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, presidenti shtoi se ishte për të konfirmuar pjesëmarrjen e mazhorancës në këto zgjedhje.

Meta sqaroi se do votohet në gjashtë bashki, për vakancat në bashkitë e vendit.

KQZ-ja, sipas presidentit, ka sjellë vakanca për tre bashki, ndërsa qeveria ende nuk ka sjellë informacion për bashki të tjera.

“Qeveria ka sjellë po tre bashki të tjera. Por, unë pres edhe përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese”, tha më tej Meta.

Duke iu kthyer situatës brenda Partisë Demokratike, Meta ravijëzoi se përcaktimi i datës po bëhet pikërisht edhe për të krijuar kushtet për përfshirjen e opozitës.

25 prilli

Presidenti deklaroi qartësisht se sipas tij, zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit në vend kanë qenë “një komplot ndaj demokracisë”.

Këtë akuzë Meta e hedh drejtpërdrejt mbi kryeministrin, Edi Rama, duke radhitur ato që sipas tij, janë një sërë çështjet, të cilat e “vërtetojnë” këtë pretendim.

Së pari, ai cek situatën e tensionuar zgjedhore në Shqipëri, pak ditë përpara drejtimit të popullit në kuti.

Dy incidente madhore, “të paralajmëruara” sipas Metës, kanë ndodhur.

Së pari, plagosja e një personi të shtabit demokrat në Kavajë.

Por, kjo ngjarje u eklpisua nga vrasje e ndodhur në Elbasan vetëm tre ditë përpara zgjedhjeve, ku një funksionar i “grupit të gatshëm për mbrojtjen e votës” nga Partia Demokratike, vrau një funksionar të shtabit elektoral të socialistëve.

“Ju i mbani mend shumë mirë çështje si patronazhistët”, vijoi Meta. “Unë i kam denoncuar, i keni në prokurori deponimet e mia”.

Sakaq, ai ka akuzuar për këtë situatë edhe opozitën – referuar Lulzim Bashës – i cili për Metën e ka lënë situatën të vijë në këtë pikë.

“Dogjën mandatet. Bënë vetëvrasje, bashkë me LSI-në dhe e lanë mazhorancën të veprojë si të dojë”.

Sa i përket marrëdhënieve, ai ka theksuar se i ka bërë shpesh thirrje Bashës, por ky i fundit jo gjithmonë e ka pranuar konsultimin me të.

Ndërsa, akuzat se ai bën pjesë në një “trekëndësh Bermudash” – etiketim që Basha i ka bërë Metës, si pjesë e një politike të vjetër së bashku me Ramën dhe Sali Berishën – ai i ka nënqeshur, duke lënë të kuptohet se nuk i përfill ato.

Basha

“Unë mendoj që kjo është një mundësi e shkëlqyer për Lulzim Bashën”, tha fillimisht Meta.

Kjo, referuar një fitoreje kundër “të gjithë armiqve të tij”.

Për presidentin, kjo merr edhe më shumë peshë për shkak të përkrahjes, sipas tij, të amerikanëve dhe evropianëve.

“Aq më tepër që ka përkrahjen e të gjithë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, vijoi Meta.

 

Duke iu referuar pengesave si ish-lideri demokrat Sali Berisha, kryeministrit aktual Edi Rama dhe figurës së tij, Meta i bëri thirrje Bashës që “t’i tregojë të gjithë armiqve vendin e tyre”.

Meta e ka konsideruar si momentin më të mirë, pasi Basha nuk e ka pasur më parë mbështetjen e “SHBA-ve dhe Evropës”.

Kjo, për shkak të Berishës, tha presidenti.

“5 Maji”

Sa i takon situatës së 19 janarit ku u dëshmuan përplasje mes banorëve të lagjes “5 Maji” dhe efektivëve të Policisë, presidenti e konsideroi “një arrogancë të papranueshme”.

“I kam bërë thirrje Avokatit të Popullit të ndërhyjë për këtë situatë të papranueshme.Kjo arrogancë e skajshme e qeverisë ndaj qytetareve është e përsëritur”, tha Meta.

Të mërkurën, banorët e “5 Majit” dolën në protestë për të kundërshtuar shembjen e banesave.

Kauzës së tyre iu bashkuan dhe deputetë të Partisë Demokratike.

Banorët refuzuan për orë të tëra shembjen e banesave – që u krye nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Bashkia e Tiranës kishte njoftuar se do të prisheshin tre banesa.

Banorët janë kundër prishjes së banesave të tyre, pasi shprehen se ende nuk janë dakordësuar me shtetin për këtë hap.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore