Bota

Piratët rrëmbyen 15 marinarë në anijen turke të mallrave


Në brigjet e Nigjerisë piratët rrëmbyen 15 marinarë nga një anije kontenierësh turke, në një sulm të dhunshëm.

Ekuipazhi turk përbëhej gjithsej nga 19 persona.

Gjatë bastisjes nga piratët mbeti i vrarë njëri nga marinarët me shtetësi nga Azerbajxhani, ndërsa pjesa tjetër e të rrëmbyerve janë nga Turqia.

Anija Mozart, me flamur liberian,  u drejtua për në kryeqytetin Cape Town nga Lagos, kur u sulmua 160 kilometër larg ishullit Sao Tome ditën e shtunë.

Në një regjistrim të shpërndarë në Twitter, që besohet se i përket kapitenit të anijes, thuhet,  “Nuk e di se ku po shkoj. Piratët çmontuan të gjitha kabllot, asgjë nuk po funksionon. Vetëm navigatori punon. Ata më dhanë një itinerar, unë jam duke lëvizur në përputhje me rrethanat”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me Furkan Yaren, kapitenin e katërt të anijes që u rrëmbye, bëri të ditur Drejtoria e Komunikimit të Presidencës së Turqisë.

Presidenti Erdoğan mori informacionin se anija po lëvizte drejt Gabonit, me tre anëtarë të ekuipazhit, thuhet në njoftim.

Duke ndjekur nga afër procesin, Erdoğan udhëzoi autoritetet në lidhje me shpëtimin e personelit të anijes.

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, gjithashtu bisedoi me Yaren-in dhe mori informacion në lidhje me incidentin dhe situatën në anije./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore