Lajme

Petkoviç në Graçanicë për festën e Vidovdanit: Provokimet mund të vijnë nga Prishtina


Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë, Petar Petkoviç, ka uruar qytetarët serb për festën e Vidovdanit nga Graçanica.

Petkoviç, u ka bërë thirrje qytetarëve serb që të festojnë në mënyrë të qetë.

Pasi sipas tij, “provokimet sikurse më parë mund të vijnë nga Prishtina”.

“Provokimet, si herët e mëparshme, mund të vijnë ekskluzivisht nga Prishtina. I bëj thirrje popullit tonë që në mënyrë paqësore dhe dinjitoze ta shënojë Vidovdanin, sepse sot kujtojmë vdekjen e heronjve tanë të mëdhenj që dhanë jetën në mbrojtje të Serbisë dhe Ortodoksisë”, ka shkruar ai.

Festa e Vidovdanit në Graçanicë.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se kjo festë është bekim i madh për Graçanicën dhe popullin serb.

“Është një bekim i madh si për Graçanicën ashtu edhe për popullin serb që këtu është patriarku serb Porfirije. Prania e shtetit tonë të Serbisë dhe kishës sonë tregon unitet të mishëruar në vendin tonë të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kishën tonë të udhëhequr nga Patriarku Porfirije. Është shumë i nevojshëm bashkimi dhe forca e popullit tonë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë, Petar Petkoviç.

Ndryshe, manifestimi tradicional i festës së “Vidovdan-it”, në vitin 2021 kishte kaluar pa incidente madhore.

Kështu kishte njoftuar Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, në të cilën ishte thënë se me kohë policia kishte përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore