Lajme

Petkoviç i reagon videos së Lëvizjes Vetëvendosje për Veriun e Kosovës: “Kurti po jeton në realitet paralel”


I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

Për atë që Lëvizja Vetëvendosje përmes një videoje e paraqiti si shtrirje të sovranitetit në Veri të Kosovës dhe situatë drastikisht të ndryshme nga çfarë ka qenë, ka reaguar i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

Petkoviç përmes një cicërime në Twitter tha se një gjë e tillë mund të ekzistojë vetëm në një realitet paralel që, sipas tij, e paramendon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Sa është i fiksuar Albin Kurti me pushtimin e Veriut të Kosovës, sa që duhet të bëjë video për ta bindur veten për atë”, shkroi Petkoviç.

Kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviç, tha se veriu i Kosovës “është emërtim mendor” i kryeministrit kosovar.

“Ambienti serb në Kosovë është emërtim mendor për të [Albin Kurtin], dhe nëse më lehtë e ka të jetojë në realitet paralel, atëherë s’ka ndihmë”, ka shkruar mes tjerash ai.

Lëvizja Vetëvendosje e ka proklamuar si ndryshim të gjendjes në terren si rezultat i qeverisjes që nga 14 shkurti i vitit të kaluar.

Ndalimin e referendumit serb, ndalimin e zgjedhjeve serbe, marrëveshjen për energjinë elektrike përmes të cilave do të kryhet inkasimi i faturave të energjisë, aksionet policore kundër kontrabandës e të tjera, sipas Vetëvendosjes, janë shembuj të asaj se Veriu është kthyer nën kontrollin e institucioneve të Kosovës, përçka, ata thonë, nuk ka qenë më herët.

Megjithëkëtë, ndonëse akuzat i hedhin mbi opozitën për situatën e trashëguar, ndalimi i referendumit serb u miratua përmes një rezolute edhe me votën dhe mbështetjen e opozitës, ndërsa marrëveshja për energjinë ishte edhe ajo e trashëguar nga pushtetet paraprake, marrëveshje të cilën Lëvizja Vetëvendosje vokalisht dhe fizikisht e kundërshtonte atëbotë, ndërsa tani ia atribuon si sukses vetes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore