Shqipëria

Përurohet Xhamia e Et’hem Beut: Për Erdogan, një vepër madhështore – Rama, “sytë” nga Xhamia e Plumbit


Përurimi i Xhamisë së Et’hem Beut ishte adresa e fundit e agjendës së vizitës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Shqipëri.

Në sheshin “Skënderbej” ishin mbledhur me qindra njerëz, të cilët kishin ardhur edhe nga Kosova apo Maqedonia e Veriut.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij theksoi se do të fillojë puna për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër.

Kjo, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve turke dhe atyre shqiptare.

Fillimisht, Rama e konsideroi pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni si “nder”.

Kjo, edhe pse shumë prej të pranishmëve, sipas tij, kishin ardhur për të dëshmuar mbërritjen e Erdogan-it.

Në podiumin e improvizuar, kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi Xhaminë e Et’hem Beut një simbol të shkëlqyer të rilindjes së trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

“Falë kujdesit të tij – referuar Erdogan – të drejtpërdrejtë dhe agjencisë turke TIKA, inxhinierëve, restauratorëve turq e shqiptarë, ne kemi sot disa nga xhevahiret të fesë që kanë rilindur plot shkëlqim”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Xhamia e Et’hem Beut, sipas kryeministrit, është një nga simbolet më domëthënëse të historisë tonë dhe një pasqyrë mes marrëdhënieve tradicionale Turqi-Shqipëri.

Erdogan

Erdogan deklaroi në përmbyllje të vizitës së tij se Xhamia e Et’hem Beut është një nga veprat më madhështore që rihapet në qendër të Tiranës.

Numri një i presidencës turke përshëndeti ndërkaq të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm.

Fillimisht, Erdogan e konsideroi objektin e kultit si “një dëshmi artistike të periudhës osmane që ka mbërritur deri në ditët e sotme”.

Në vijim të fjalës së tij, kreu i shtetit turk bëri një përmbledhje të vizitës së 17 janarit.

Xhamia, sipas tij, me ndriçimin e ri do t’i japë një pamje magjepsëse qendrës së Tiranës.

Erdogan vuri theksin te TIKA, si agjencia që bëri të mundur realizimin e 546 veprave konkrete.

Numri një i presidencës turke garantoi se do të vijojë t’i qëndrojë pranë popullit shqiptar.

Deri në muajin e Ramazanit, Erdogan shpreson që t’i japë zgjidhje edhe restaurimit të Xhamisë së Namazgjasë në Elbasan.

“Së bashku me mikun tim, kryeministrin e Shqipërisë, krah më krah, do të kemi sërish vepra të tjera të tilla që do të vihen në shërbimin tuaj”, tha kreu i presidencës turke.

Në përmbyllje, Erdogan uroi që ky restaurim i Xhamisë së Et’hem Beut të jetë në dobi të njerëzve.

Ceremonisë së prerjes së shiritit inaugurues iu bashkëngjitën edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Kryeministri Rama nuk zgjodhi të merrte gërshërët për të prerë shiritin.

Sipas Erdogan-it, këto të fundit gjithsecili do t’i ruajë si kujtim për të mos i kthyer mbrapsht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore