Pajisje

Përplasjet e skuterëve elektrikë në Londër rriten nga viti në vit


Shifrat kanë treguar se në gjysmën e parë të vitit të kaluar ka pasur po aq përplasje me skuterë elektrikë sa në të gjithë vitin 2020.

Mes janarit dhe qershorit 2021 janë regjistruar 258 përplasje, krahasuar me 266 në të gjithë vitin 2020.

Kurse gjatë vitit 2019 ka pasur 38 incidente. Dhe në vitin 2018 ka pasur vetëm nëntë të tilla.

Ndërkaq, Policia rrugore e Londrës ka sekuestruar më shumë se 3 mijë e 600 skuterë elektrikë në pronësi private gjatë vitit 2021.

Agjencia e lajmeve “BBC” tregon se në Mbretërinë e Bashkuar, përdorimi i skuterëve elektrikë në pronësi private është i ndaluar në zonat publike.

Por numri i përplasjeve që përfshijnë këta skuterë në rrugët e Londrës ka pësuar rritje relativisht të madhe në vitet e fundit.

Korrikun e kaluar, një 16-vjeçar ndërroi jetë pas një përplasjeje midis një skuteri dhe një makine në Bromley, në juglindje të Londrës.

Pas ngjarjes, një burrë u arrestua me dyshimin se shkaktoi vdekjen nga drejtimi i parregullt.

Ai ishte një nga tre personat në Mbretërinë e Bashkuar që u vranë në incidente që përfshinin pajisjet gjatë 12 muajve të fundit deri në qershor 2021.

Departamenti i Transportit ka treguar se nga 931 persona të plagosur në aksidente në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar gjatë asaj kohe, më shumë se gjysma ishin në kryeqytet.

Zëdhënësi i policisë, Unmesh Desai, ka thënë se “përdorimi i skuterëve elektrikë të paligjshëm në rrugët dhe trotuaret tona po i vë londinezët në rrezik të dëmtimit të konsiderueshëm”.

Për të, ata po vënë në rrezik veçanërisht më të rrezikuarit në komunitete, si njerëzit me lëvizshmëri të kufizuar, dëmtime shikimi dhe humbje dëgjimi.

“Teksa është shqetësuese që këto shifra ka të ngjarë të jenë vetëm maja e ajsbergut, ka qenë inkurajuese të shihet shkalla e masave të zbatimit të ndërmarra nga Departamenti i Transportit dhe policia rrugore”, ka vijuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore